Categories
Lajme

Ylli i Tiranës me plane të mëdha/ Dua të luaj për Barcelonën

Tirana ka në gjirin e saj një nga talentet më të mëdha shqiptarë, Marcel Ismajlgecin. Mbrojtësi i majtë po shkëlqen me bardheblutë prej dy sezonesh dhe në nëntor meritoi një ftesë në kombëtare nga trajneri Reja, por fatkeqësisht pësoi një dëmtim dhe nuk mundi të jetë në fushë. Nuk ka vend për shumë zhgënjim, por shumë punë sepse në mars ai do ketë mundësinë sërish të jetë në fushë me kuqezinjtë. Së fundmi talenti i Tiranës ka dhënë një intervistë për FSHF, ku ka treguar fillimet, dëshirat dhe ëndrrat e tij për të ardhmen.

FILLIMET – “Historia ka nisur përpara se unë të lindja. Babai im e ka dashur shumë futbollin dhe ka qenë ëndërr e tij, që nëse do kishte një djalë, ai do të bëhej futbollist. Si çdo fëmijë fillimet e mia kanë qenë duke luajtur në lagje dhe përveç dëshirës së babait tim, ai pa që unë kisha dëshirë dhe pasion për futbollin dhe kështu vendosi që unë të shkoja në stërvitje. Çdo gjë që unë jam sot, jam falë Zotit dhe babit tim, që nuk u dorëzua kurrë që unë të jem futbollist”.

THIRRJA NGA REJA – “Ka qenë gëzimi më i madh për mua dhe familjen time. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se si jam ndjerë në ato momente, sepse e ëndërroja shume atë thirrje. Kur kam debutuar mbaj mend që kam pasur shumë emocione dhe lutesha vetëm të jepja më të mirën.

Besoj se është ëndrra e çdo futbollisti shqiptar të luajë për ngjyrat kuqezi, për fanellën tonë dhe thirrja në Kombëtaren A ishte vlerësim, privilegj dhe emocion akoma më i madh. Fatkeqësisht, pësova një dëmtim dhe nuk munda të luaj në ndeshjet e nëntorit, por do të vazhdoj të punoj fort në mënyrë që të mund të luaj dhe të jap maksimumin tim për skuadrën tonë kombëtare”.

KOMBËTARJA – “Skuadra jonë kombëtare ka lojtarë shumë të mirë, cilësor, punëtor, që janë për t’u marrë shembull dhe besoj se do arrijmë shumë, me punë dhe dëshirë. Ne kemi elemente shumë të mira dhe nuk ka arsye pse të mos arrijmë rezultatet edhe më të larta”.

TIRANA – “Tirana është një skuadër e madhe dhe unë e kam për nder që jam pjesë e klubit bardheblu. Çdo klub ka momentet e tij të vështira, por ne nuk dorëzohemi. Deri në fund do të mundohemi të përmirësohemi dhe të arrijmë objektivat tona”.

MOMENTET E LUMTURA – “Fitimi i titujve kampion kur kam qenë pjesë e ekipeve të moshave të Tiranës, fitimi i titullit kampion në 100-vjetorin e klubit dhe momenti më i veçantë është shënimi i golit ne Uefa Champions League sezonin e fundit. Ndërsa për ngjyrat kuqezi, sigurisht thirrja e parë në Kombëtaren A!”

SAKRIFICA – “Unë jam ende i ri, por mund të përmend disa momente, të cilat ndoshta dikush nuk do t’i quajë sakrificë. Ka ndodhur që kam luajtur i dëmtuar, vetëm që unë dhe skuadra ime të arrinim objektivat tona. Çdo njeri nga ne shoqërohet me njerëz të ndryshëm dhe kemi shoqërinë tone dhe shpesh kur miqtë e mi dilnin nëpër festa fundjavave, unë nuk mund t’ju bashkohesha, pasi mendoja që ditën tjetër kisha ndeshje dhe duhet të isha në formë.

Kur familjarët e mi janë mbledhur për të festuar diçka apo kanë bërë udhëtime të ndryshme nuk u jam bashkuar, sepse duhet të isha në stërvitje apo duhet të shkoja në ndeshje dhe kam humbur momente të veçanta. Isha 15 vjeç dhe jam larguar nga familja ime për një periudhe kohe, që të stërvitesha në Greqi dhe ajo ka qenë periudha më e vështirë, që kam kaluar ndonjëherë”.

E ARDHMJA – “Dua të punoj fort, të vazhdoj karrierën time jashtë dhe do të doja që një ditë të jem pjesë e klubit te Barcelonës, që është dhe ëndrra ime”.

IDHULLI – “Nuk është se kam ndonjë idhull, por të gjithë lojtarët për mua janë më të mirët dhe jam me fat që stërvitem me ta. Marcelo-n e Realit ndjek si shembull, sepse për mua është mbrojtësi i majtë më i mirë në botë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *