Categories
Lajme

Tjetër fundjavë e mirë për kuqezinjtë, ja 5 lojtarët më të vlerësuar

Fundjava që lamë pas shënoi sërish paraqitje pozitive të disa prej lojtarëve të Shqipërisë. Mbi të gjithë spikati sulmuesi i kombëtares dhe Viteses, Armando Broja, i cili u rikthye te goli pas dy muajsh “thatësirë”. 19-vjeçari u vlerësua me notën 8.1 për paraqitjen kundër Emenit, e cila u mbyll me shifrat 1-4.

Përveç golit të shënuar, sulmuesi në pronësi të Çelsit asistoi dhe golin e dytë të ekipit të tij. Edhe pse Atalanta dështoi të fitonte ndaj Xhenoas, mbrojtësi Berat Gjimshiti e bëri më së miri detyrën në fushë. 27-vjeçari fitoi 9 nga 10 duelet me kundërshtarët duke marrë vlerësimin 7.7nga “Sofa Score”.

Më në fund, dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi gjeti golin e parë me ekipin e Koniasporit. 30-vjeçari shkundi rrjetën në ndeshjen kundër Goztepes, por për fatin e tij të keq, ndeshja u fitua nga kundërshtarët 2-3. Për paraqitjen në fushë, sulmuesi i kombëtares mori vlerësimin 7.5.

Nuk mundi t’i gëzohej në fushë fitores së Leçes 0-1 ndaj Rexhinës qendërmbrojtësi Kastriot Dermaku. 28-vjeçari luajti vetëm 33 minuta lojë dhe u detyrua të linte fushën për shkak të dhimbjeve muskulore. Megjithatë, për aq minuta sa u aktivizua, Dermaku u vlerësua mjaft mirë me notën 7.4.

Një ditë mjaft e mirë qe dhe për mbrojtësin e djathtë Ivan Balliu. Futbollisti i Almerias, i cili prej kohësh nuk grumbullohet me kombëtaren u aktivizua për 90 minuta në kualifikimin në raundin e 1/8-ave të Kupës së Mbretit teksa ekipi i tij, që luan në kategorinë e dytë në Spanjë (La Liga 2) shpartalloi keq Alaveshin, që militon në elitën e futbollit iberik 5-0. 29-vjeçari mori notën 7 për lojën e tij.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *