Categories
Lajme

Ky është futbollisti shqiptar që hoqi dorë nga pasaporta gjermane, vetëm e vetëm për të luajtur me kombëtaren e vendit të tij

Si 17 vjeçar kishte debutuar në Bundesligë me Hannoverin. Disa vite më vonë pësoi një lëndim të rëndë dhe u detyrua të sakrifikonte në karrierë, duke u transferuar në ligën e katërt gjermane. Shpërblimi erdhi për Valmir Sylejmanin, i cili tashmë është rikthyer sërish te Hanover dhe në pesë ndeshjet e fundit në Bundesliga 2 ka qenë një titullar i padiskutueshëm, transmeton Gazetasheshi.com.

“Trajneri më telefonoi në mbrëmje dhe më tha që jam një futbollist titullar. Ishte diçka e papritur, pasi që zakonisht formacioni dihet disa ditë para ndeshjes. Ishte një ndjenjë shumë e mirë për mua, dhashë maksimumin dhe shënova gol ndaj Bochum qysh në minutën e dytë të ndeshjes”, deklaroi fillimisht Sylejmani për “Klan Kosova”.

Pas lëndimit që kishte shumëkush kishte dyshuar nëse Sylejmani do të rikthehej për të luajtur futboll, mirëpo 24 vjeçari i’a doli.

“Kam qenë për 13 vite pjesë e Hannover, ndërkohë një lëndim i rëndë më detyroi t’i bëja disa hapa në karrierë. Nuk ishte e lehtë për mua të luaja në rangjet më të ulëta, por isha i bindur në vete dhe i’a dola”, potencoi ai.

Kjo edhe ndodhi. Sulmuesi ka zhvilluar 16 ndeshje me Hannoverin në Bundesliga 2, duke shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër.

Djaloshi me prejardhje nga Gjilani, i lindur dhe rritur në Gjermani është edhe reprezentues i Kosovës, derisa ka sakrifikuar shumë për të qenë një “Dardan”.

“Kam hequr dorë nga pasaporta gjermane për të luajtur për Kosovën. Nuk kisha zgjidhja për t’i mbajtur dy pasaportat dhe kështu vendosa për ta mbajtur atë të Kosovës, për të cilën nuk jam aspak pishman”, përfundoi ai.

Qëllimi i Sylejmanit mbetet rikthimi në Përfaqësuesen A të Kosovës dhe rikthimi në Bundesligë me skuadrën e Hannover. /gazetasheshi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *