Categories
Këshilla

9 këshilla për 9 zakone që duhen mposhtur çdo ditë

Nga Artan Mullaj

1-Nuk je i përsosur! Nuk mund të jesh! Nuk do të jesh! Jepi fund këtij iluzioni dhe kurseje dashurinë për vetveten duke e shpenzuar jo në këtë gjë por tjetër kund. Të synosh të jesh i përsosur është si të synosh të udhëtosh në kohë, pra, kohë e humbur. E vetmja e mirë në këtë rast janë kaloritë që do humbasësh për pasojë të stresit që do të të shkaktojë me shumicë pamundësia për të qënë i tillë.
Nuk vlen dhe nuk i intereson askujt të jesh dikush që nuk je!
2-Mos u anko! Të japësh shpjegime, të justifikohësh, të ankohesh, është gjithashtu një zakon i shëmtuar që duhet luftuar, së paku në komunikim. Mburja është një ves më i shëmtuar se këto por gjithsesi më e dobishme; është një gjest që parashikon por edhe zgjon nevojen e ngutshme për të qënë i vlerësuar, nevojë e cila, më shumë se gjithck e shtyn një njeri të bëjë gjera, të veprojë, të ecë para.
3-Lufto zvarritjen. Zvarritja eshte nje rutine më e vjetër ndoshta edhe se luftërat. Mbas shekujve të tërë civilizim e zhvillim, njerëzimi vazhdon të jetë i sunduar nga ky zakon, që më shumë se i tillë është një rebelim instiktiv ndaj detyrimeve, që con në frenim të vetvetes. Edhe sot, shumica e botës është e prirur të shmangë kryesoren për të lehtën, të dobishmen për kënaqësinë mediokre të momentit, detyrën për zbavitjen, qëllimin për ëndrrën. Bota do të ishte shumë më e zhvilluar nëse njeriu në shumicë do zgjidhte të kundërtën e kësaj.

4-Lufto zakonin e pritjes. Fshije me dhunë besimin dhe shpresën se gjërat që mund të vijnë rastësisht. Në rastin më të mirë mund të të bjerë llotaria, në më të keqin, rrufeja. Në hapësirën psikologjike mes këtyre ndodhive, asgjë nuk do të ndikojë më keq në jetën tënde se sa ndenja në pritje; pritja e dickaje që ti nuk mund ta kesh ndryshe, vecse duke lëvizur, duke e ndjekur, kërkuar e luftuar për të. Nëse ti e pret të të vijë, ajo quhet dhe mbetet ëndërr; nëse lëviz dhe e kërkon, ajo bëhet qëllim.
Mardhënia që njeriu krijon me ëndrrat dhe qëllimet, përbën edhe mënyrën se si ai shpenzon kohën e tij. Mënyra se si ti e shpenzon kohën tënde, kjo gjë, më shumë se gjithcka, më shumë se talenti apo intelekti që ka, përcakton kush ishte, kush është, kush do të jetë.
Jemi të përfshirë në vorbullën e jetës përmes një dinamike të pamëshirshme dhe harrojmë se shumica e gjërave të rëndësishme në jetën tonë, nuk varen nga ne. Nga ne nuk varet lindja, jeta, vdekja dhe dashuria. Nga ne varet vetëm veprimi, lëvizja, zgjedhja jonë, vendimet, qëllimet që synojmë.
5-Por në këtë dinamikë ka dicka thelbësore. Koha është e pakët për të provuar shumë. Na lejohen vetëm ato gabime që ndihmojnë të kuptojmë rrugën tonë, drejtimin. Jo më shumë.
Përpiqu të bësh gjënë e duhur. E thënë ndryshe, mos vazhdo të bësh veprime të gabuara të cilat ti e di se të dëmtojnë. Të vazhdosh të bësh atë që e di se të dëmton, ky ësht është një zakon që të shtyn drejt humbjes së respektit për veten. Hiq dorë nga alkoli i tepert. Lere duhanin. Lere të presë Fb-un. Bisedat e kota. Takimet e pavlera. Dashurite pa ndjenja. Punët pa pasjon. Bëju përbindësh nëse do të fitosh mbi vetveten: ajo është një bishë e pamposhtur, nuk është e lehtë ta fitosh, ta vesh në kontroll….Është armiku yt më i madh.
6-. Mos prit ndihmë nga askush. Mos shpreso asgjë që mund të vijë nga dashamirësia e të tjerëve. Kjo është një botë në të cilën mëshira është thjesht një koncept dhe dashamirësia, rëndom, një predikim. Askush nuk të ka borxh! Askujt nuk i detyrohesh asgjë, percec vetvetes… Pranoje që vështirë të ndalojë dikush udhës tënde për të ditur nëse vuan apo je i lumtur; të pyesë nëse di cfare do e ku shkon apo, nëse je i verbër. Ke vetëm një llogari dhe këtë e ke me vetveten. Kuptoje! Mos harro kurrë që je i vetëm! Mendimet rrezëllitin thellë në tru, brenda kafkës tënde dhe gjaku vlon nën lëkurë. Kafka dhe lëkura janë izolimi yt, burgosja. Në këtë izolim mos ushqe asnjë iluzion tjetër. Askush nuk do mund të shkrihet kurrë me ty.

7-Përkushtoju dashurisë deri në momentin kur kupton se partneri yt kërkon të jesh dikush tjetër. Ky është momenti kur duhet të largohesh. Mos rri më gjatë në një mardhënie e cila, që të funksionojë, fillon të kërkojë nga ty të bëhesh tjetër njeri. Dashuria ekziston mbi bazën e të qënit vetvetja. Ne dashurojmë dikë për atë që është, jo për atë që mund të jetë.
Nëse partneri fillon të kërkojë të ndryshosh, ky është sinjali i parë se lidhjes tënde i ka erdhur vjeshta. Ky është momenti kur duhet të ikësh, edhe sepse në këtë fazë, kjo mardhënie ka pushuar së bëri ty njeri më të mirë. Dashuritë edhe shuhen! Largohu në kohë, drejt një magjie të re, për t’u dashuruar sërish.

8-Mos lejo të tjerët të të ndikojnë me këshilla, apo sugjerime. Mos lejo askënd të vendosë për ty. Lëviz si një asteroid. Me furi. Mes rreziqeve të hapësirës. Ti mbaj timonin! Ndiq rritmin tënd, rrugën tënde, ciklin tën, në trajektoren e zgjedhur nga ty dhe mos i ndrysho këto për asnjë arsye.
Herët a vonë do të mbrish ku duhet të mbrish.

Dhe e fundit: Mos kthe kokën pas. Laj njëherë e mirë llogaritë me të shkuarën. Me ngjarjet në të. Me dështimet. Me zhgënjimet. Me vuajtjen. Me njerëzit që duhen harruar. Me dashuritë e lëna në mes për shkak të të tjerëve. Kjo është një kohë tjetër, edhe ti nuk je më i njëjti njeri. E as do të jesh. Ti je një copëz energjie, që digjesh e karrikohesh në rrugëtimin e taksur. Herë në lartësi, herë në meditim. Shumica e njerëzve nuk kanë arsye të shohin më në të shkuarën e tyre. As ti. E shkuara është përvoja jote: mësimet e saj flejnë në nëndijen tënde, si ëngjëj të eksperiencës, do zgjohen vetë sa herë të kesh nevojë për to. Leji të flejnë. Lere të shkuarën pas! Aty ke qënë njëherë. Shiko para, bëj rrugën tënde, për të cilën je thirrur, mundësisht të pashkelur, që të lësh gjurmët e tua; që të bësh historinë tënde.
*****

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *