Categories
Këshilla

Ekspertët nuk janë fare dakord, por ekziston një formulë e lashtë për diferencën ideale të moshës në një çift

Keni dëgjuar ndonjëherë për rregullin që burrat duhet të shoqërohen me gra që janë sa gjysma e moshës së tyre plus shtatë vite?

Disa të famshëm – mendo Leonardo Di Caprio-n, e çojnë këtë në ekstreme me një listë modelesh 20 e ca vjeçare në krahun e tyre, thuajse gjithmonë, por a e dini nga vjen ky “rregull”?

Shprehja rezulton të jetë 100-vjeçare dhe vjen nga një libër i Max O’Rell, “Her Royal Highness, Woman: And His Majesty Cupid”, shkruar në vitin 1901. Është parë gjithashtu në shfaqjen “The Moon si Blue” (1951).

Por, a ka ardhur si pasojë e një vëzhgimi, apo është thjesht një rregull i pabazë nga burra që donin të justifikonin takimet me gra më të reja dhe më pak të pjekura?

The Independent pyet tre ekspertë të marrëdhënieve për të vlerësuar rregullin dhe përgjigjet na njohin me disa këndvështrime të reja.

Ekspertja Susan Winter tha:

“Më duket argëtuese që ekziston një ekuacion për hendekun optimal të moshës në dashuri. Ndërsa këto “formula” duket sikur kanë një besueshmëri shkencore, e vërteta është se dy shpirtra do e gjejnë njëri-tjetrin, pavarësisht moshës së tyre. Nëse ka ndonjë rregull që duhet të ndjekim kur kërkojmë një bashkëshort të mundshëm ai është që “rregullat nuk aplikohen, sepse nuk ka rregulla në dashuri përveçse të ndjekësh zemrën tënde”.

Për më tepër, ajo thotë se “nuk ka asnjë arsye logjike që ky të jetë një rregull”.

Susan shton:

“Duke folur nga aspekti social, në botën perëndimore, grave u është dhënë gjithnjë liri për të qenë me burra nga 5 deri në 15 vite më të mëdhenj në moshë dhe askush s’ka thënë asgjë, por, kur një burrë ka një partnere më të madhe në moshë, ai është i prirur të haset me gjykim dhe diskriminim.

Në kohën kur rregulli është shkruar, arsyeja për hendekun e rritur të moshës do të ketë qenë ekonomike, mendon Winter.

“Gratë kishin pak aftësi për të fituar të ardhura. Bashkëshorti ishte qasja e tyre në nivelin social dhe stabilitetin ekonomik. Padyshim, një burrë i madh në moshë kishte më shumë kohë për të arritur një numër më të madh të qëllimeve personale dhe financiare. Sidoqoftë, qartazi këtë rregull e ka shkruar një burrë.”

Edhe ekspertja tjetër e marrëdhënieve, Rachel Russo, gjithashtu mendon se rregulli është i pabazë.

“Është më e rëndësishme të shikosh fazën e jetës në të cilën ndodhet dikush për të parë nëse vlerat e tua përputhen me vlerat e tij, sesa të bazosh vendimin tënd tek diferenca e moshës.”

Sipas saj, rregulli do funksiononte më mirë për burrat sesa për gratë sepse “shanset janë që një burrë 30-vjeçar më një 22-vjeçare do të përputhet më mirë se sa një 30-vjeçare me një djalë 22-vjeçar. Kjo sepse zakonisht gratë janë më të pjekura dhe më të gatshme për marrëdhënie serioze.”

Sa i përket rregullit, Russo mendon se ka të bëjë me faktin që shumë burra ndjejnë tërheqje ndaj grave më të reja në moshë.

“Një arsye e thjeshtë për rregullin është fakti që burrat zakonisht tërhiqen më shumë nga gratë më të reja dhe do të dëshironin një rregull që i bën ata të ndiejnë se është e pranueshme të dalin me gra më të reja në moshë. Pra, në thelb fajin e kanë burrat.”

Nga ana tjetër, për eksperten e marrëdhënieve Rachel DeAlto, rregulli i vjetër është mjaft i dobishëm në përcaktimin e diferencave të përshtatshme të moshës.

Sipas DeAlto, “është ende një rregull i mirë për të vendosur një kufi të një moshe minimale. Ndërsa mosha është me të vërtetë vetëm një numër, marrëdhëniet e suksesshme të rëndësishme bazohen në mirëkuptim dhe lidhje reciproke.”

Ajo vazhdon:

“Unë kam parë disa anomali ku një hendek i madh moshe nuk e ka penguar një lidhje të qëndrueshme, por shpesh herë, kjo mund të çojë në zhgënjime dhe në ndarje. Megjithatë, sa mund të mbështetemi te një rregull, shkruar nga perspektiva e një burri të fillimit të shekullit 20?”

Rregulli i plotë nga libri i Max O’Rell thotë:

“Një burrë duhet të martohet me një grua që ka gjysmën e moshës së tij, plus shtatë. Provojeni në çfarëdo moshe që ju pëlqen, dhe do ta shihni se funksionon shumë mirë, duke e marrë për të mirëqenë gjatë gjithë kohës që, në fund të fundit, një burrë ashtu si një grua ka moshën që ai ndjen dhe që duket se ka.”

Në një paragraf tjetër O’Rell shkruan:

“Asnjëherë mos u martoni me një grua më të pasur se ju, më të gjatë se ju, ose një më të vjetër se ju.”

BURIMI: ANABEL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *