Categories
Lajme

“Nana Lule”, 80-vjeçarja nga Tirana rrëfen vështirësitë e jetës: Kam shitur gjak për 10 vite/ “Ndihem 15 vjeçe për 14”

Nëna Lule është një 80-vjeçare nga Tirana, e cila njihet në Shqipëri dhe Kosovë, si një grua e urtë që predikon mirësinë në daljet e saj televizive, por edhe në rrjetet e saj sociale që di t’i përdorë më së miri.

Luleta Katazi e njohur gjerësisht si “Nana Lule”, ka lindur në vitin 1942 në Tiranë. Ajo ishte sot në studion e emisionit “Shqipëria Live” në Top Channel, ku foli për jetën e saj, për fëmijërinë dhe martesën.

E pyetur se sa vjeç është, ajo që në fillim e nisi bisedën me shumë humor: “Ndihem 15 vjeçe për 14”.

“Jam regjistruar në vitin ‘42, por thuhet se jam e ‘41. Fëmijëria ime ka qenë shumë e mirë. Kam patur dy prindër shumë punëtor dhe të komunikueshëm me njëri-tjetrin. Ne nuk jemi rrahur asnjëherë. Ishim 10 fëmijë. Unë kam qenë fëmija i pestë. Nga ana ekonomike jemi rritur me vështirësi, por me shumë dashuri. Edhe sot jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Unë u rrëzova dhe vrava krahun, e motra erdhi nga Italia dhe u kujdes për mua”, tregoi ajo.

Nana Lule tregoi se si është martuar me djalin që e quante “hilacak”. “Vjehrri dhe babai im ishin shokë të ngushtë, e shkonin shumë mirë. Në verë të gjithë luanim bashkë dhe ai ishte shumë hilanjos. Kur babai më tha se do bëhej burri im, i thashë: ‘Nuk e marr atë’. Hilanjos ishte, por i zgjuar. Kam qenë edhe unë skile”, tha ajo.

E pyetur se si ka qenë martesa e saj, Luleta Katazi, tha se burri nuk ka qenë fanatik dhe se ka shkuar ku ka dashur. Por ka patur vështirësi, pasi ka shitur gjak për 10 vite që të rriste fëmijët.

“Çunat e Tironës kur fitonte Tirona, i bënin lekët përshesh. Kam shitur gjak për 10 vite, nga vitet ‘80-‘90. E shisja në spital, kemi dhënë edhe falas për Korenë e Vietnamin se ishin në luftë. Fitonim sa për një 15-ditësh punë , e për 2-3 muaj e rregulloja. Kisha 2 fëmijë e bëra të tretin. U shtunë kërkesat për të ushqyer fëmijët. E çova në çerdhe se nuk e mbante dot vjehrra. Një herë në ditë hanim bukë ne. Shumë vite ja kam mbajt sekret burrit këtë, ja kam thënë kur isha me nerva. Pas 4-5 vitesh, e më tha pse bën kështu gjërash”, tregon ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *