Categories
Lajme

Disa italianë thanë ‘Shko këndo në vendin tënd’/ Reagimi i fortë i këngëtarit shqiptar na bën të gjithëve krenar

Në fakt, nuk është se Ermali nuk është mësuar me këtë frymë raciste (me apo pa dashje, kështu quhet apo jo?) Por është nga të rrallët artistë që reagojnë publikisht kur dikush ua kujton vendin e lindjes jo për ta përgëzuar apo uruar, por për t’i kujtuar edhe që ka mbërritur në Itali me gomone, edhe që nuk është italian, ndonëse jeton në atë vend prej më shumë se 26-vjetësh apo vazhdon të jetë konkurrent në garë, suksesshëm, jo vetëm me artistët më të mirë italianë, por edhe më gjerë se aq (ju të gjithë e kujtoni suksesin e tij në Eurosong).

Ermali është mësuar me këtë frymë, edhe pse, në kohën tonë, në vitin 2021, për fat të keq, shumë njerëz vazhdojnë të kenë një urrejtje të lindur apo të ushqyer – atë për të cilën Ermali ka folur këtë herë.

Pas suksesit të radhës në Sanremo, nga ku edhe u nda me çmimin e tretë, Ermali ishte i ftuar për një intervistë në radio, në Itali, pas së cilës një grup komentuesish i kujtuan se vjen nga Shqipëria, kështu që “të kthehet dhe të këndojë në Shqipëri”.

Pa e lënë të kalojë në heshtje këtë herë, Ermali ka postuar një video në llogarinë e tij në Instagram. Së pari, për të falënderuar të gjithë fansat dhe ndjekësit që duan dhe adhurojnë muzikën e tij, i falin dashuri, por edhe për t’i dërguar një mesazh anës tjetër, asaj që është mësuar të shohë gjithmonë e gjithçka me urrejtje, siç e quan Ermali.

“Të lexoj të tilla komente nga të rinj, shumë më të vegjël se unë (ndoshta janë 20, 22 apo 23 vjeç), më vjen të qesh. Unë jam në këtë vend të mrekullueshëm që prej 26-vjetësh dhe jam më italian se ata, sepse kam ardhur para tyre, edhe pse kam ardhur nga një vend tjetër”, – thotë Ermali.

“Është shumë e çuditshme të thuhen këto gjëra në vitin 2021, por gjithsesi nuk doja që ta kaloja. Dhe jo sepse më pëlqen polemika, sepse nuk më intereson fare polemika. Ajo që dua të dini është që të thuhen këto gjëra dhe t’i lësh të ikin, i bën të duken normale. Por ja që nuk është normale të flasësh ashpër e t’i përmendësh origjinën dikujt. Ne jetojmë të gjithë nën një qiell, të gjithë kemi një ndërgjegje të përbashkët kolektive. Kjo është urrejtje që unë nuk e pranoj dot, sepse është idotësi”.

Pa e fshehur, përkundrazi duke e përmendur me krenari origjinën e tij, Ermali u dërgon një mesazh të gjithë atyre që shpirtin e kanë të mbushur me urrejtje, siç thotë ai:

“Kam vetëm një gjë për t’ju thënë: Nëse do dinit vetëm pak fare nga historia e vendit nga vij, do ndiheshit krenar për të, njëlloj si unë. Jam krenar për rrënjët dhe gjakun tim. Nëse ju do t’i njihnit ata, do ndiheshit krenarë që i keni fqinj. Ju ftoj ta lexoni historinë e tyre dhe do mbeteni të mahnitur”,- thotë Ermali.

Pas këtij mesazhi, shumë personazhe të njohur publikë shqiptarë, por edhe fansa, shqiptarë e të huaj, e kanë përshëndetur për fjalët e ndjera, mesazhet dhe origjinalitetin e një artisti si ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *