Categories
Lajme

Nga punëtor krahu në sipërmarrës në Itali, mesazhi i 29 vjeçarit për të rinjtë shqiptarë

“Në Itali erdha si një punëtor i thjeshtë krahu, pasi isha në dijeni të kërkesave për punë si mbledhës luleshtrydhesh në onën e Metapontinos”.

Kështu shprehet një 29 vjeçar që pas një dekade punë, ka arritur të krijojë sipërmarrjen e tij në tokën e shtetit fqinj. Ermal Gjuzi quhet dhe jeton prej 10 vitesh në Matera të Italisë. Ermali tregon se pesë vitet e para ka punuar dhe dhënë gjithçka të mundej për të fituar gradualisht respektin dhe besimin e punëdhënësit të tij, që më pas e mbështeti në realizimin e ëndrrës për të krijuar ai vetë një sipërmarrje.

“Fillova të kultivoj në më pak se dy hektarë luleshtrydhe, tani kam 10 me qira, si dhe tre të tjera për perimet. Kryesisht kultivoj ‘Sabrosa- Candonga’, por kam dhe një hektar Fortuna, një varietet që çdo vit më jep mundësinë të hap sezonin e luleshtrydhes që në nëntor”, rrëfen Ermali.

Ky i ri thotë se për të kjo sipërmarrje është një fitore sociale, kulturore e në fund ekonomike. Ermali i drejtohet me një mesazh të rinjve që duan të punojnë.

“Jam shumë i kënaqur me zgjedhjen time sipërmarrëse. Është fitorja ime sociale, kulturore dhe ekonomike. Për të gjithë ata të rinj që po kalojnë sot ato që kam kaluar unë u them: Mos kini frikë të veproni, të ndërmerrni inciativa, të gaboni dhe të investoni. Duhet të besoni në të dhe të përkushtoheni plotësisht: në fushën e bujqësisë përkushtimi duhet më i madh, por asgjë nuk është e pamundur. Mendoni së pari për prodhimin dhe mundësinë për të prodhuar fruta me cilësi të lartë; atëherë shitjet do të vijnë vetë”, thotë Ermali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *