Categories
Lajme

Verë pa kufizime dhe me turistë nga e gjithë bota… duket se po vjen!

Ka nisur sot vaksinimi masiv i popullsisë, proces që filloi me grupmoshën mbi 75 vjeç. Dy çadra të mëdha janë ngritur dhe bërë gati gjatë natës, ku secila ka nga 10 pika vaksinimi për qytetarët. Vaksinimi te sheshi “Skënderbej” do të bëhet për persona sipas njoftimeve nga mjeku i familjes.

Në ndihmë të bluzave të bardha janë edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa nisja e vaksinimit masiv pritet që të plotësojë planin ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha detaje ne si do të jenë të organizuara çadrat e ngritura në sheshin “Skënderbej”. Qendra e vaksinimit masiv do të mundësojë kryerjen nga 800 deri në 1000 vaksinime në ditë.

“Planifikohet të kemi 10 poste të vaksinimit, 10 pika të regjistrimit, duke mundësuar kështu një regjistrim të shpejtë të qytetarëve, një kryerje të shpejtë të anamnezës, më pas vaksinimin dhe më pas vendosjen e posteve të postvaksinimit. Këto çadra do të kenë dhe ambiente ruajtje frigoriferike për vaksinat.”-deklaroi Manastirliu.

Me ecurinë e këtij procesi pritet që të ketë një lehtësim të masave në sezonin veror, ndërsa deri në qershor pritet që të kenë marrë vaksinën anti-COVID, 500 mijë qytetarë.

Procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në vendin tonë në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe së fundmi edhe me Coronavac.

Me nisjen e procesit të vaksinimit masiv, kryeministri shprehet se kjo do të ndihmojë turizmin gjatë verës, pasi hoteleritë do të jenë të hapura pa orë kufizuese që do të mund tëpresin turistë nga e gjithë bota.

“Kjo kohë që po e lëmë pas ishte tejet e vështirë, por ne nuk jemi nga ata që dorëzohen jo. I siguruam vaksinat kundër të gjitha parashikimeve, për pak muaj kjo vuajtje do të mbarojë. Shqipëria këtë verë do të presë turistë nga e gjitha bota. Hotelet, baret e restorantet, klubet, edhe në majë të malit do të jenë të hapura, pa orare kufizuese”.

“Do të kthehemi përsëri në jetën tonë të dëshiruar dhe do të vazhdojmë me forcë e me shpejtësi përpara. Kemi kaq shumë punë për të çuar deri në fund, e plot të mira e gëzime për të ndarë me njëri tjetrin. Shqipëria është e ardhmja jonë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *