Categories
Histori

Kur Fejsbuku ynë ishte poshtë në lagje – Rikthim pas në fëmijëri

Një shkrim për fëmijërinë është shpërndarë masivisht në rrjetet sociale. Në të krahasohet fëmijëria e dikurshme, ajo kur nuk kishte internet e rrjete sociale dhe fëmijëria sot. Sigurisht që ndryshojnë shumë.

Mesa duket më të rriturit kanë mall për të kohë, por edhe ndjejnë një lloj zemërimi për mënyrën se si po rriten fëmijët sot. Kanë më shumë kushte, por me pak fantazi. Kanë më shumë lodra, por janë më të mbyllur.

Kemi luajtur në rrugë pa frikë, nuk ekzistonin rreziqet dhe kërcënimet e pranishme si sot. Kishim shumë pak: disa kanoçe bosh, disa gurë, një copë litar, por kjo ishte bota që na bënte të lumtur brenda, pavarësisht pasurisë.

Nuk janë fjalë të shkëputura nga ndonjë roman kush e di sa vite më parë, por nëse mendojmë, ishte jeta deri disa dekada më parë, për shumë prej nesh.

Jo në disa periferi të izoluara, siç ndoshta, edhe sot disa lajme na sjellin para syve, por në fëmijërinë tonë.

Bërja e krahasimeve mund të duket të jetë një ushtrim i thjeshtë nostalgjie, ndërsa nëse u thuhet fëmijëve dhe nipërve tanë, mund t’i bëjë ata të hapin sytë për një kohë të varfër në gjëra materiale, por të pasur me imagjinatë, krijimtari, gëzim të zbulimit dhe jetës.

Kush e ka harruar erën e barit të lagur nga stuhia e verës para se dielli të kthehej për të ngrohur imagjinatën tonë, ose shkëlqimin e llambave të rrugëve që na kujtonin, gjatë periudhës së shkollës, se ishte koha për të shkuar në shtëpi, për darkën e përgatitur nga gjyshja!

Sigurisht që kohët ka kanë ndryshuar. Fëmijët ndoshta janë më të zhvilluar. Dinë më shumë. Por, për shumë prindër ata janë duke jetuar një fëmijëri krejt ndryshe nga e tyre. Kanë treguar fëmijërinë e tyre tre personazhe, Daut Gumeni, Dom Gjergj Meta dhe këngëtarja Orgesa Zaimi. Të tre kanë përjetuar fëmijëri të ndryshme, por që ka lënë gjurmë në jetën e tyre dhe në ata çka ata janë sot.

I lindur në Gusmar të Kurveleshit të Sipërm në vitin e largët 1943, ai me buzën në gaz na thotë se është “prodhim lufte”. “Më duket nganjëherë sikur ato vite sapo kanë dalë pas dere. E nganjëherë sikur kanë një shekull që kanë humbur në mjegullën e kohës. Besoj që kështu u ngjet të gjithëve, kur kujtojnë në pleqëri vitet e fëmijërisë së tyre”, tregon Gumeni për Dita-n.

Daut Gumeni – “Fëmijëria e brezit tim ka qenë tepër e varfër dhe nuk besoj që fëmijëria mund të ndahet aq lehtë sipas periudhave të historisë. E them këtë të fundit, pasi besoj që fëmijëria është në themel të formimit tonë si njerëz dhe mbetet në të gjitha kohët periudha më e pafajshme e jetës së njeriut”.

“Madje, kam bindjen se qenia jonë si homosapiens i afrohet më tepër njeriut vetëm në dy periudha të jetës: kur është fëmijë dhe kur është nënë. Sepse në të dyja këto periudha është tepër e vështirë të mendojë keq e ca më pak të bëjë keq. Ndaj nuk e besoj dot atë ndarjen në periudha para dhe pas viteve 1990 edhe të fëmijërisë. Mendoj se për këtë periudhë kam shumë pak për të treguar pasi, fëmijëria e brezit tim dukej sikur kalonte shumë shpejt. Sepse duhej të merrje përgjegjësi shumë më shpejt nga sa kujtohen fëmijët e sotëm për të marrë dhe ata përgjegjësitë e veta në përballimin e jetës së familjes”.

Gumeni ka një urim për fëmijët sot: “Uroj që fëmijët e sotëm ta shohin nganjëherë atë foto e të rrinë më pak mbi videogejmet dhe përpara kompjuterëve gjithë rrezatime të dëmshme për shëndetin. Të rrinë më shumë mbi libra që të mësojnë kryekreje të nderojnë fjalën e të mos gjejnë kënaqësi në fjalët e palara. Se nga fjalët e palara, njeriu kalon shumë lehtë në veprime të paqëruara. Dhe atëherë i largohet shumë njeriut të vërtetë. I largohet edhe sepse nuk i ka mbetur asgjë nga fëmijëria”.

Dom Gjergj Meta, prift, ka lindur në fshatin Rrushkull të Durrësit dhe nga kjo periudhë e jetës ruan kujtime që sa herë i kthehet, emocionohet.

“Historia e çdo njeriu i ngjan një toke të shenjtë në të cilën, sikurse thuhet në Librin e Daljes (Eksodi) në Bibël, duhen hequr sandalet për të hyrë. Por në mënyrë të veçantë fëmijëria është vërtet një hapësirë e shenjtë për secilin nga ne, në të cilën nuk mund të hyhet me këmbët pis. Unë nga fëmijëria mbaj mend shumë gjëra. E kam parasysh sikur të kisha dalë dje prej saj e në shumë fragmente ajo vazhdon të jetojë ende brenda meje. Hera herës ai fëmijë zgjohet si për të më thënë: unë jam këtu, mos më harro!”

“Ndoshta sepse në çdo moshë ne mbartim fëmijën të cilin na duhet herë ta lindim, herë ta përkëdhelim, herë ta mbrojmë e herë ta mësojmë. Ndoshta, edhe ne meshkujt, duhet t’i bëhemi nënë këtij fëmije brenda nesh. Një miku im psikoterapeut e quan këtë gjë një atësi femërore. Kur mendoj për fëmijërinë time, kam parasysh vende, njerëz, fytyra, zëra që në të vërtetë më krijojnë një ndjesi të lumtur, sepse fëmijëria ime, në limitet e kohës, ka qenë një fëmijëri e lumtur”.

Dom Gjergji ka edhe një mendim për fëmijët sot:

“Fëmijët sot rriten të vetmuar, me një përkujdesje fanatike dhe nganjëherë posesive nga ana e prindërve. Fatkeqësisht sot familjet e ndara krijojnë trauma te fëmijët. Sikurse ndodh rëndom, as strukturat arsimore nuk janë në gjendje sot të ofrojnë logjika komunitare dhe ndërveprimi midis fëmijëve. Unë akoma kam shenjat kur vritesha si fëmijë, por ama falë mundësisë për të luajtur me shokët, sot kam marrë aftësinë e komunikimit me njerëzit dhe të përballjes me situatat”.

“Fëmijët sot ndoshta po i shkatërron edhe një realitet virtual i cili nuk i lejon të zhvillojnë marrëdhënie reale. Duhet shumë punë në këtë drejtim, mendoj. Fëmijëria është një tokë e shenjtë e ajo nuk mund të abuzohet apo të dhunohet. Rastet e fundit me fëmijët, por edhe me gratë, na tregojnë se kemi nevojë të punojmë në këtë drejtim të gjithë bashkë si shoqëri në mbrojtje të pafajësisë dhe të dobëtëve”.

Trishtim në fëmijëri? Kur humba gjyshërit

Orgesa Zaimi është këngëtare, e cila bie në sy për origjinalitetin e saj. Sot është vetë nënë dhe shpesh teksa sheh fëmijët të rriten, kujton veten dhe gjurmët që ka lënë kjo periudhë e jetës tek ajo që është sot.

E lindur në vitin 1985 në Poliçan të Skraparit, Orgesa thotë se ka kaluar një fëmijëri të jashtëzakonshme… “Ndjehem me shumë fat që kam kaluar një fëmijëri të mrekullueshme, pa e ekzagjeruar. Një meritë e prindërve të mi arsimtarë, mami im ka punuar 36 vjet si mësuese matematike dhe na ka vendosur që fëmijë një rregull, sistem përkujdesje, vëmendje, dashuri, përgjegjësi, edukatë të admirueshme nga e cila unë gjej shembull në rritjen e fëmijëve të mi sot”.

“Babi im ka qenë pak më shumë liberal, si artist që është ai ka studiuar në institutin e lartë të arteve në Tiranë dhe me diapazonin e tij të madh artistik që prej instrumenteve që luante fizarmonikë, tastierë, kitarë, fyell apo punimeve në dru me erën e të cilit ne jemi rritur në shtëpi duke parë babin të gdhendte në dru, vizatimet e tij, aktivitetet artistike, në të cilat unë kam qenë e angazhuar e në moshën 5 vjeçare më kanë bërë një njeri mjaft të realizuar.

Gjyshërit e mi gjithashtu luajtën një rol kyç në fëmijërinë time dhe largimi e ndarja e tyre nga jeta ka qenë një nga periudhat më të dhimbshme të fëmijërisë sime të përsosur. Tashmë që jam vetë nënë, e ndjej me ngritje e ulje vlerën e kohës kur jam rritur e formuar, por e them me bindje se, prindërit e mi kanë qenë dhe janë akoma krijuesit e lumturisë sime. Patjetër që diferencat e brezave ndjehen çdo ditë e më shumë sepse unë në fëmijërinë time nuk kisha kushtet të cilat i kanë fëmijët e mi, të vetmin faktor dyshues që shoh sot është interneti dhe aparatet e zgjuara dhe trembem e kam dyshimet e mia çdo ditë për to”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *