Categories
Lajme

Vera Ora: “Rita është yll, por në familje s’ka dallime, ajo lan enët e gatuan”

Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, Vera Ora, mamaja e këngëtares shqiptare me famë botërore, Ritar Ora është ftuar në programin e pasdites ‘Ftesë në pesë’. Gjatë bisedës ajo foli për vështirësitë e familjes në fillimin e viteve ‘90, kohë kur vendosi të udhëtonte bashkë me dy vajzat në Londër, për t’u bashkuar me të shoqin.

“Problemi më i madh kur arrita atje ishte gjuha, se flisja pak anglisht. Në fillim s’ punova, qëndrova me vajzat dhe jam e lumtur për këtë”, tregoi ajo.

Për sa i përket marrëdhënieve në familje, Vera Ora tregoi se familja e tyre është shumë normale dhe se Rita madje merret edhe me larje enësh, apo përgatitje ushqimi.

“Rita është superstar siç është çdokush në punën e tij, por në familje s’ ka dallime. Ajo e di që duhet t’i lajë enët. Kur mblidhemi në shtëpi më ndihmon mua me përgatitjet, duhet të mësohet dhe me rregulla”, tha Vera duke qeshur.

Gjatë intervistës ajo mori dhe një videomesazh nga Rita. Këngëtarja me famë botërore përshëndeti të ëmën në shqip dhe u shpreh se e ka marrë malli shumë për të.

“Përshëndetje mami. Surprizë. Më ka marrë malli shumë. Doja t’u dërgoj një video për t’ju treguar marrëdhënien time me mamin dhe gjithçka kam mësuar prej saj. S’di nga t’ia filloj por për mua janë etika në punë, vendosmëria dhe vetëbesimi. Faleminderit mami për besimin qe ke pasur gjithmonë tek unë. Të dua shumë dhe Zoti të bekoftë. Mirupafshim”, u shpreh Rita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *