Categories
Lajme

Erdhi muaji maj: Këto janë frutat dhe perimet e sezonit!

Çdo frut apo perim ka momentin e tij të mbretërimit në sezon. Disa mbretërojnë më gjatë për gati gjysmën e vitit dhe të tjerë e mbajnë fronin vetëm për një muaj. Por në çdo rast, kur flasim për frutat e majit nënkuptojmë më shumë aromë, shije, lëng dhe padyshim më shumë freski.

Lista: Cilat janë frutat dhe perimet e sezonit për këtë muaj dhe si të merrni më të mirën prej tyre.

Qershitë – Nuk ka tregues më të sigurtë dhe më të lumtur se po afron vera, se sa dalja e qershive të para në treg. Më i vogli dhe më i hershmi ndër frutat e majit, është shenja paralajmëruese se pjeshkat, kumbullat dhe nektarinat e tjera janë të rradhës në shportë.

Si t’i zgjidhni qershitë – Shikoni për qershi me lëkurë të lëmuar dhe me shkëlqim. Sa më e errët të jetë ngjyra e kuqe, aq më e mirë është qershia, pasi tregon se ajo është plotësisht e pjekur. Gjithashtu kontrolloni dhe bishtat; ato duhet të jenë jeshile dhe krejt elastike, ndërkohë që në momentin që ruhen, ato marrin një ngjyrë si vishnje në të kafenjtë.

Si t’i ruani qershitë – Futini në frigorifer në një enë të izoluar mirë. Ato mund të rrojnë deri në disa javë në këtë mënyrë.

Kajsia – Plot aromë dhe ëmbëlsi, kajsia është një nga frutat tipikë të sezonit. Pak e dinë në fakt që kajsia e ka origjinën nga Azia dhe në Europë u soll nga grekët, të cilët i vunë emrin “vezët e arta të diellit”. Nga shija dhe nga ëmbëlsia kajsia ka një dyzim mes kumbullës dhe kajsisë.

Si t’i zgjidhni kajsitë – Kajsitë ashtu si dhe frutat e tjera të kësaj familje, pikun e pjekjes e kanë në momentin e vjeljes. AgroWeb.org ju sugjeron të zgjidhni ato që kanë një nuancë të artë dhe mos i kushtoni shumë vëmendje atyre që sapo kanë filluar të skuqen.

Si t’i ruani kajsitë – Kajsitë mund të ruhen në temperaturën e ambjentit për disa ditë, veçanërisht nëse ato janë të papjekura. Pas kësaj mund t’i ruani në frigorifer në një enë të izoluar mirë.

Bishtajat – Bota e bishtajave është e ndarë në dysh: rrumbullake dhe të gjera. Bishtajat rrumbullake dhe ato më të holla duhet të gatuhen shpejt në mënyrë që të mund të ruajnë shijen delikate. Ndërsa bishtajat e gjera marrin më shumë kohë në gatim, pasi duan kohë për t’u zbutur për shkak të cipës së tyre të trashë.

Si t’i zgjidhni bishtajat – Zgjidhni bishtaja të forta dhe kërce. Nuk duhet të kenë pjesë të buta apo pjesë të çngjyrosura. Kur bëni pazarin, bëni kujdes që të zgjidhni vetëm bishtajat e drejta, pasi janë më të lehta për t’u gatuar dhe kanë një pamje më të këndshme.

Si t’i ruani bishtajat – Mbajini bishtajat në frigorifer në qese plastike të izoluar mirë. Nëse do t’i ruani për një kohë të gjatë vendosni një kartëpecetë, në mënyrë që të thithë lagështirën.

Patatet e reja – Patatet e reja kanë një rrugë shumë të shkurtër nga toka në treg, ndaj dhe për këtë arsye quhen të reja, pasi nuk kalojnë në procesin e ruajtjes. Ato kanë një aromë dhe shije të veçantë.

Si t’i zgjidhni – Mënyra e mirë që ju tregon që një patate është e re, është ta gërvishni lëkurën me gisht. Lëkura e saj është aq e butë sa do të hiqet menjëherë.

Si t’i ruani – Patatet e reja mund t’i ruani në temperaturën e mjedisit, por nuk do të ruajnë freskinë aq gjatë sa patatet e vjetra. Nëse futen në frigorifer dhe ruhen për një kohë të gjatë, do të kenë një shije shumë më të ëmbël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *