Categories
Histori

Dy fjalë për të gjithë ata që duan të bëhen perfektë

nga Anila Kalleshi

E keni vënë re se sa shumë njerëz “motivues” po shtohen në botën online? Për shembull, me video në Tik Tok, Facebook dhe Instagram. Njerëz të njohur mendojnë se kanë aq shumë dituri, saqë mund të motivojnë ndjekësit e tyre për t’u bërë më të pasur, për të mbajtur gjithmonë një trup të përkryer dhe për të menaxhuar në mënyrë optimale 24 orët e ditës fiks si ata.

Po sikur të duash të jesh njeri i zakonshëm? Të konsumosh një gjë që ta do zemra, të flesh nja 3 orë më shumë të dielën në mëngjes dhe të mos bësh palestër sa herë që sugjerojnë VIP-at? Kaq gjë e keqe është të jetosh ashtu si do ti?! Për shkak të punës sime, unë vërtet që jap këshilla për dieta dhe shëndetin tuaj, por kurrsesi nuk mund të përpiqem medoemos të ndryshoj jetën tuaj. Secili ka një stil personal, një koncept për jetën dhe një pasion të vetin. Pse duhet të këmbëngulim kaq shumë?!

Kur shoh video me këshilla “Fli pak, se duhet punë shumë për t’u bërë miliarder”, më vjen për të qeshur. Mos vallë ky është sekreti i jetës, të mos flesh gjumë? Përkundrazi. Gjumi, kur është cilësor dhe rreth 7-8 orë, ndihmon për të pasur energji gjatë ditës.

Uroj të ma kuptoni këtë shkrim. E kam si thirrje për të gjithë ju, që më ndiqni përditë me postimet e mia. Duke ju falenderuar që besoni tek unë dhe flisni gjithmonë mirë, theksoj se nuk duhet t’i shihni “VIP”-at si njerëz të përkryer. Nëse disa thonë se bëjnë stërvitje që në orën 5 të mëngjesit 5 herë në javë, jo domosdoshmërisht duhet t’u besoni. Edhe nëse e bëjnë, bravo u qoftë, por jo të gjithë e kanë mundësinë. Nëse ke dy punë dhe fëmijët për të rritur, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duken në ekran.

Jetoni jetën, kaq! Asgjë nuk ndryshon me disa dollarë, euro apo paundë më shumë. Mos hiqni dorë nga gjërat e vogla. Mos i nënvlerësoni gjërat bazike. Fëmijët janë të lumtur më shumë se ne. Mos i mbingarkoni për t’i bërë të vuajnë si ne. Mendoni më pak për sfidat e pamundura. Jo të gjithë do të bëhen miliarderë. Përmirësohuni pak nga pak, aq sa mundeni, por mos kërkoni perfeksionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *