Categories
Lajme

Kush ishte Akaki Khorava? “Skënderbeu gjeorgjian” që mahniti shqiptarët

Khorava i kishte kaluar të 50-at kur regjisori Sergei Yutkevich i besoi rolin e një prej figurave më të rëndësishme në historinë e Ballkanit. Kaq vite më pas janë pak shënime që mund të rrëfejnë emocionet e Akakit gjatë kohëve kur i duhej të shndërronte në kinema një prej personazheve më të dashura për shqiptarët.

Me një karrierë normale si aktor, Skënderbeu ishte kulmi i tij si artist. Ne sot nuk mund ta dimë në Akaki e dinte se imazhi i tij e bën ende sot xhiron e botës sa herë kërkojmë të kemi një pamje të Skënderbeut. Një burrë i gjatë, i pashëm dhe pa flokë.

Ky ishte portreti i Khoravës në jetën e përditshme. Vitet e fundit të jetës ai i jetoi në Tbilisi në Gjeorgji. Aktorja shqiptare që interpretoi në rolin e Mamicës, Adivije Alibali, në një intervistë dhënë për “Zërin e Amerikës” në vitin 2004 është shprehur se ka mbajtur korrespodencë me Akaki Khorava deri në vitin 1960, kur Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik ndërprenë marrëdhëniet mes tyre.

Avdija ishte aktorja më e re që interpretonte në këtë prodhim kinematografik. Ajo ishte vetëm 18 vjeçe dhe aktorët kryesorë e thërrisnin “motër”. Kur filmi u shfaq në ekran nuk ishin të paktë njerëzit që mendonin se aktorja që interpretonte Mamicën ishte një ruse. “Në fakt, shumë njerëz edhe sot mendojnë se rolin e Mamicës e ka luajtur një artiste ruse.

Filmin unë për herë të parë, pas disa vjetësh, e pashë në fshatrat e Beratit ku isha e internuar. Filmi u shfaq në një nga sallat e kooperativës. Të nesërmen kur dola në rrugë, fëmijët e fshatit më thanë: ‘Po moj teta përse të kanë internuar, pse ke vrarë turqit?‘ Kjo për mua ishte për të qarë e për të qeshur”, shprehet Alibali në intervistën e dhënë 4 vjet më parë.

Jeta e Mamicës, ndryshe nga ajo e aktorëve rusë pas realizimit të këtij filmi, nuk ishte më në kinema. Ajo u internua dhe u detyrua të heqë dorë nga dëshira për aktrimin. Ashtu si shumë njerëz të kinemasë dhe Alibali mendon se filmi ka nevojë për ndërhyrje.

“Filmi ‘Skënderbeu‘ ka nevojë për një restaurim të thellë, pasi nuk është ruajtur me kujdesin që kërkon një film i tillë, i cili është jo vetëm filmi i parë artistik shqiptar, por edhe filmi i vetëm kushtuar Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shprehet ajo.

59 vjet më pas, pjesa më e madhe e atyre që i dhanë jetë filmit të parë artistik kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nuk jetojnë më. Pjesa më e madhe e stafit rus ka vd ekur, po kështu dhe një pjesë e aktorëve shqiptarë

. Titulli origjinal i filmit është “Vikijvoin Albanii Skanderbeg” dhe është realizuar me regji të Sergei Jutkeviç dhe me skenografi e skenar të Mikhail Papava, fotografia ka qenë e Eugenij Andrikanis dhe muzika një bashkëpunim mes Çesk Zadesë dhe rusit Gli Sviridov.

Subjekti i filmit është treguar në mediat e huaja gjithnjë me këto fjali: “Gjergj Kastrioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donikën dhe duke organizuar Lidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamzait, nipit të tij.

Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Ai është filmi i parë artistik i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik”. Ky është edhe filmi i parë që përfaqësoi vendin tonë dhe Rusinë në Festivalin e Kanës, ku u nominua me një çmim për regjisorin.

Në rolet kryesore interpretonin Akaki Khorava, në rolin e Gjergj Kastriot Skënderbeu, Besa Imami në rolin e Donikës, Adivie Alibali në rolin e Mamicës, aktori rus Semion Sokolovski në rolin e Hamzait, aktorja ruse Veriko Anxhaparizhe në rolin e Dafinës, Naim Frashëri në rolin e Palit dhe në rolet e tjera aktorët rusë: Xhorxhi Çernovolenko, Oleg Zhakov, Aleksandër Vertinski, Sergo Zakariaxhe, Vladimir Belokurov, Vagram Papazian, Boris Tenin.

Në Amerikë u shfaq në vitin 1953, me titullin “Great Warrior Skanderbeg”, (Luftëtari i Madh Skënderbe). Filmi u xhirua në dy vende, në Shqipëri e në Rusi dhe është i gjatë 90 minuta. Edhe pse bashkëpunim shqiptaro-rus, filmi “Skënderbeu” është i pari prodhim kolosal i Kinostudios.

Sergei Jutkeviç, pas Skënderbeut, një film për Leninin – Apartamenti ku ka jetuar Sergei Jutkeviç është i mbushur kudo me piktura. Mari (një e afërt e Jutkeviç), hyn shpesh në këtë hapësirë ku dikur ka jetuar një nga emrat më të njohur të kinemasë ruse, për t‘u kujdesur për pikturat.

Përpara se të dashuronte filmin dhe të bëhej një dashnor i madh i kinemasë, Sergei ëndërronte të bëhej një piktor. Por pas studimeve për pikturë, i vetmi vend pune që i ofrohet është të mësojë si aktrohet disa artistë cirku. Këtu Sergei ndjen të lindë brenda tij pasioni i madh për kinemanë.

Në vitet ‘20, ai nis përpjekjet e para për të depërtuar në kinema. I dhënë pas kinemasë amerikane, filmi i tij i parë, prodhim rus, në vitin 1928 do të shfaqte hapur ndikimin që ai kishte marrë nga kjo kinema. Pas disa kritikave në Rusinë e atyre viteve, ai detyrohet të përqendrohet në filmat e tij në luftën brenda klasave. Kjo është ndoshta arsyeja pse Sergei Jutkeviç u përqendrua te filmat historikë, për të mos futur në kinema ideologjinë e kohës.

Pas viteve 1950, Sergei Jutkeviç merr në dorë historinë e një prej personazheve më të rëndësishme të Shqipërisë, Skënderbeun. Nga Rusia e largët ai nis të mendojë zgjedhjen e duhur për t‘i dhënë jetë një prej historive më të veçanta të Shqipërisë, këtij vendi të vogël në Ballkan, që kishte pasur një kalorës të rrallë si Skënderbeu.

Sot ne gjejmë shumë pak materiale mbi konceptin që Sergei Jutkeviç kërkonte t‘i jepte këtij filmi shqiptaro-rus. Por ajo çfarë shohim në film është një lloj dashurie që regjisori ka pasur në trajtimin e figurës së Skënderbeut dhe shqiptarëve.

Vetëm dy vjet pasi kishte realizuar Skënderbeun, ai bëri një film mbi një tjetër figurë historike të Rusisë, Leninin. “Lenini” do ta bënte Sergei Jutkeviç një nga regjisorët më të përfolur të atyre viteve, duke u vlerësuar me një sërë çmimesh. Në vitin 1956 ai fitoi çmimin si “Regjisori më i mirë” në Festivalin e Kanës me filmin “Otello” dhe në vitin 1966 të njëjtin çmim në Kanë me filmin “Lenini në Poloni”.

Ai është regjisori i dytë që ka fituar çmimin “Rene Clement” me serinë tjetër të filmave mbi Leninin, “Lenini në Paris”, që është dhe më i njohuri i tij. Përveç kinemasë, Sergei Jutkeviç i pëlqenin edhe hulumtimet mbi jetët e personazheve të ndryshme. Ai ka shkruar biografinë e komedianit francez, Max Linder.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *