Categories
Lajme

Regjisori rus i filmit Skenderbeut tregon si zgjodhi kastin shqiptar

Me veçoritë e lojës së aktorëve shqiptarë u ndesha nga afër gjatë xhirimeve të filmit “Luftëtari i madh i shqipërisë-Skënderbeu”.

Natyrisht, i druhesha në kohët e para faktit, se mosnjohja e dyanëshme e gjuhës, do të pengonte kontaktin tonë krijues. Por, doli që kjo frikë ishte krejt e pabazë.

Aktorët sovjetikë dhe ata shqiptarë dolën aq të afërt me njeri tjetrin me botë e tyre e brendëshme, synimet e tyre artistike, dhe një shikues i pastërvitur, duke parë këtë film, zor se mund të përcaktojë me saktësi se cilin është aktori sovjetik dhe ai shqiptar.

I shpenguar dhe natyrshëm hynte në sheshin e xhirimit Mihal Popi, në rolin e Ballaban Pashës. Megjithëse luante për herë të parë në një film, në lojën e tij nuk ndiehej presioni më i vogël teatral. Po kaq organik, si në skenë, e përkryente figurën para objektivit të aparatit të filmit.

Për rolin e vështirë të Palit, udhëheqësit fshatar, shok lufte i Skënderbeut, që në vizitën time të parë në Shqipëri e kisha zgjedhur interpretuesin.

Në spektaklin “Zëri i Amerikës”, sipas dramës së B. Lavrenjevit, pikasa një aktor, i cili më mahniti me atë tensionin e brendshëm të jetës, me të cilën jetonte në skenë, në një rol të dorës së dytë, atë të një rreshteri amerikan.

Zakonisht thuhet se sytë e aktorit, shikimi i tij, që transmeton mekanikën e ndërlikuar të jetës shpirtërore, – janë një element i rëndësishëm i fuqisë shprehëse në ekran, jo dhe aq i detyrueshëm për aktorin e teatrit. Por unë për shkak të zakonit tim të vjetër të kineastit, pikërisht i kushtoj vëmendje përherë se si sillen në skenë sytë e aktorit.

Interpretuesi i rreshterit amerikan më befasoi me lojën e tij të përkorë dhe thellësinë e mendimit, e cila, siç më dukej, ndjehej në shikimin e ngulur, disi të trishtuar të syve të tij të mëdhenj, ngjyrë gështenjë të errët.

Shfletova programin e shfaqjes. Aty figuronte emri i aktorit- Naim Frashëri. Ishte e lehtë ta mbaja mend: Naim Frashëri- kështu quanin poetin e shquar, klasikun e letërsisë shqipe. Ishte njësoj sikur një aktor rus ta thërrisnin Aleksandër Pushkin.

Më la një përshtypje të këndëshme kur e njoha personalisht aktorin. Modest, inteligjent, nuk kishte asgjë prej cabotin-i. [cabotin- që synon lavdinë, shkëlqimin, sukseset e jashtme, artificialitetin] -Mbase, në simpatinë time për Naim Frashërin ishte diçka e mezikapshme: ai më kujtonte Aleksandër Moisiun.

Puna me Frashërin për rolin në film më dha një gëzim të madh krijues. Ai, ashtu si edhe Mihal Popi, u përshtat kollaj me teknikën e kinemasë.

Natyrshmëria dhe thjeshtësi nuk e braktisën kurrë. Nuk koketnoi me pamjen e tij të jashtme, tepër e favorshme, dhe asnjëherë nuk u ankua për ngarkesën shtesë prej regjisorit. Për një kohë të shkurtër përvetësoi artin e vështirë të luftimit me shpatë.

Edhe tani shpresoj se miqësia jonë artistike do të vijojë. Sa do të dëshiroja të vija në skenë “Hamletin”, me Naim Frashërin në rolin kryesor dhe t’ia kushtoja këtë shfaqje kujtimit të Aleksandër Moisiut!

Aktori Akaki Horava në rolin e Skënderbeut, dhe aktorja Besa Imami në rolin DonikS.

Zgjedhja e aktores në rolin jo të madh, por me përgjegjësi, të Donikës (në fillim të fejuarës, pastaj të gruas së Skënderbeut), u bë në disa rrethana dramatike.

Në udhëtimin tim të parë në Shqipëri, nuk munda të gjeja një kandidaturë të përshtatshme dhe kështu fillova kinoprovat në Moskë, duke shpresuar te miqtë shqiptarë, që më premtuan se do të më rekomandonin një interpretuese.

Kisha dëgjuar prej tyre emrin e Besa Imamit, një aktore e talentuar shqiptare. Për fat të keq, ajo ishte e sëmurë në atë kohë, kur po udhëtoja nëpër Shqipëri.

Po afrohej koha e xhirimit të episodit, kur për herë të parë do të shfaqej Donika dhe unë rrezikova ta ftoj Besa Imamin në Moskë, pa e parë asnjëherë në skenë, por vetëm në një fotografi me grim teatri, çka të jepte një përfytyrim të zbehtë për pamjen e saj të jashtme dhe botën e brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *