
Albin Kurti nuk fshihet: “Serbia po përdor shembullin e Rusisë për të tentuar territoret tona”
Duke parë atë që po ndodh në Ukrainë, vlera thelbësore si paqja dhe siguria në vend janë vënë në pikëpyetje. Për këtë arsye, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet të marrë të gjitha masat për sigurinë e vendit.
Sipas tij, qeveria duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar. Gjatë mbledhjes së 46-ë të Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se situata Rusi-Ukrainë ka bërë të qartë riskun që vjen nga diktatorët.
“Ka kohë që ne edhe në dialogun në Bruksel kemi ngritur alarmin për problemin nga fqinji verior, i cili nuk është penduar dhe nuk ka kërkuar falje për ato që kanë ndodhur në të kaluarën”, tha Kurti.
Kurti tha se është e qartë se Serbia po mban anën e Rusisë, duke mos i vënë asaj asnjë sanksion, por madje duke organizuar tubime përkrahëse në Beograd.
“Sigurisht se presidenti i Serbisë nuk e ka fuqinë as për së afërmi të atij të Rusisë, por e ka mbështetjen e tyre, dhe siç e kemi parë në disa raste, ata mundohen të përdorin analogjitë e paqena, me pretekste false për të arsyetuar mësymjet për territore të reja”, u shpreh Kurti.
Kurti po ashtu tha se dënojnë mosvënien e sanksioneve nga Serbia, e cila kësisoj po i bashkohet Bjellorusisë. “Nëse deri dje disa besonin se duke i ledhatuar autokratët zbuten ca e ndoshta edhe bëhen demokratë, tashmë duhet ta kenë marrë secili mësimin”, shtoi kryeministri i Kosovës.