
Fifi dhe Ylli Limani bëjnë këngë për Eurovision, do jetë për një shtet të huaj
Sukseset e këngëtarëve shqiptarë po vazhdojnë të kenë shtrirje edhe në rrafshin ndërkombëtar. Së fundmi u bë e ditur se Ylli Limani dhe Fifi kanë kompozuar këngën përfaqësuese të Qipros në Eurovision 2022.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Ylli Limani në një postim të shpërndarë me ndjekësit në InstaStory. “Unë dhe Fifi krijuam melodinë për këngën e Qipros në Eurovision 2022, përkrah shumë emrave të mëdhenj të muzikës evropiane”, ka shkruar ai.
“Fatjon Miftari ka bërë producimin. Me fat që kam qenë pjesë e këtij ekipi të mrekullueshëm”, shtoi më tej njëri nga këngëtarët më në modë të momentit.
Kënga mban titullin “Ela”, nën interpretimin e Andromachi. Sapo është publikuar në Youtube dhe deri tani ka plot komente pozitive.
Theksojmë që festivali europian i këngës këtë vit do të mbahet më 10, 12 dhe 14 maj në Torino të Italisë. Shqipëria do të përfaqësohet me këngën “Sekret” të Ronela Hajatit.
Kjo e fundit pak ditë më parë publikoi versionon zyrtar të këngës dhe videoklipin dhe deri tani është pritur mjaft mirë nga publiku vendas dhe ai i huaj.