Një ” Ibrahimovic” në Superiore, që ëndërron fanellën e Kombëtares dhe të luajë në një nga 5 ligat kryesore të Europës

Koha leximit:2 Minute, 58 Second

Është “hajmalia” e Apolonisë. Mario Gjata është “njeriu i momentit”, lojtari-gol, sulmuesi i fitoreve te fierakët. Apolonia ka arritur 3 fitore këtë kampionat: 1-0 me Skënderbeun, 2-1 me Kastriotin, si dhe 1-0 me Laçin dhe të katër golat e fierakëve i ka shënuar ai, numri 9 i Apolonisë, djaloshi 20- vjeçar, Mario Gjata, i cili është aktivizuar vetëm 586 minuta në 13 ndeshje, vetëm 7 herë si titullar dhe kjo më së shumti se trajnerët e mëparshëm e gjykonin jo në kondicionin e duhur fizik shtatlartin Gjata.

Por, sulmuesi “gojëkyçur” dhe “këmbartë” ua ka dhënë përgjigjen në fushë, si për t’u thënë mosbesuesve përmes rendimentit të tij dhe pas çdo goli të shënuar: “Unë jam Mario Gjata!”. Sulmuesi fierak është kthyer edhe njëherë për të bërë heroin, duke shënuar një tjetër gol trepikësh. Për “Panorama Sport”, sulmuesi i Apolonisë tregon ëndrrat e tij, ku model ka Zlatan Ibrahimoviçin.

Mario, si ndiheni pas kësaj ndeshjeje të fituar me Laçin?

Si jo më mirë, i gëzuar dhe i kënaqur. Si mund të ndihesha ndryshe? Shënova sërish, këtë herë ndaj një kundërshtari shumë të fortë dhe ne morëm 3 pikë të rëndësishme. Ka qenë një javë e mbarë për ne.

A ishte e lehtë përballë skuadrës kurbinase?

Absolutisht që jo, por ama ishte një fitore e merituar. Mund të them që Laçi ka ekipin më të mirë të Superiores në përbërje, ndaj dhe fitorja jonë merr më tepër vlera. Më shumë se tri pikët, kjo fitore na rrit moralin për ndeshjet e tjera, por edhe na ka shërbyer mjaft pas humbjeve të dy rivalëve tonë, Bylisit dhe Skënderbeut.

Keni luajtur pak minuta gjatë këtij kampionati. Shpesh trajnerët janë shprehur se keni qenë jashtë formës fizike…

Nuk dua të merrem me këtë pjesë sepse është e shkuar. Më duhet të merrem me të tashmen dhe të them se jam gati në çdo ndeshje të jap maksimumin tim për Apoloninë.

A ka një model botëror Mario Gjata?

Pa dyshim që po dhe është Zlatan Ibrahimoviç. Tek ai adhuroj lojën, shpirtin e garës, grintën, “rininë e përhershme” dhe instinktin e lindur të golit. I jashtëzakonshëm dhe duket sikur do të luajë përjetësisht.

Keni një objektiv personal për numrin e golave që do të shënoni këtë kampionat?

Rendimenti i një sulmuesi, mes të tjerash, matet edhe me sasinë e golave të shënuar, por unë nuk kam dëshirë t’i vendos kuota dhe limite vetes. Thjesht, dua të shënoj sa më shumë dhe ca më tepër, Apolonia ime të fitojë sa më shumë pikë dhe të ngjitet sa më lart.

A ka një ëndërr futbollistike Mario Gjata?

Gjithkush e ka një ëndërr, edhe unë e kam një të tillë. Do të doja që në një të ardhme të luaj në një nga 5 kampionatet kryesore të Europës dhe kryeëndrra ime mbetet fanella kuqezi e Kombëtares. Mua më mbetet detyrë në vetvete për të punuar fort dhe me përkushtim gjithë kohës, tani për tani duke u përqendruar vetëm tek Apolonia.

Si ndiheni kur ju quajnë “njeriu i fitoreve të Apolonisë”?

Sigurisht që ndiej kënaqësi kur e dëgjoj, por, pavarësisht kësaj, e them me sinqeritet të plotë që çdo fitore e kemi marrë bashkë si grup dhe kjo është shumë e rëndësishme në skuadër.

mërkurën, ndeshja me Kukësin. Çfarë duhet të presim nga Apolonia?

Besoj se me trajnerin Kamarata kemi bërë një kthesë pozitive. Duke parë dhe rezultatet e tri ndeshjeve të fundit, si dhe moralin e lartë brenda grupit tonë, me Kukësin do të luajmë për të marrë me çdo kusht fitoren e radhës./ Bujar Rama-Panorama Sport

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %