
Shqiptari më i shtrenjtë në botë shtang anglezët: “Isha i shkurtër, por u zgjata me qumësht”
Armando Broja ka bërë një rrëfim në faqen zyrtare të klubit. Sulmuesi ka folur për pjesën e veçantë sesi një lojtar me gjatësinë e tij arrin që të ketë shpejtësinë që tregon në fushën e lojës.
“Kam qenë gjithmonë i shpejtë, që që kur isha fëmijë. Ka qenë një nga pikat e mia të forta. E di që është e vështirë të besohet pasi jam shtatlartë dhe i kam këmbët e gjata.
Nuk dukem i shpejtë, por do të them se është një nga cilësitë e mia, mund të shkëputem nga mbrojtësit e mund të vrapoj me topin. Është pak e çuditshme, por kështu është.
Isha i shkurtër kur isha më i ri në moshë dhe mendoj se rreth 16-17 vjeç u rrita me shumë shpejtësi. Mendoj se kam pirë shumë qumësht (qesh), nuk e di çfarë ishte.
Por u rrita shumë shpejt dhe u zgjata. Edhe prindërit e mi u çuditën shumë se sa shpejt u rrita, apo edhe te akademia e Çelsit ku gjendesha atëherë, u çuditën gjithashtu”, tha Broja.
20-vjeçari është duke mahnitur të gjithë, ku në 27 paraqitje këtë sezon, ka gjetur rrjetën nëntë herë dhe ka dhuruar një asist.