Categories
Lajme

RECETA: Fileto salmoni me sallatë jeshile dhe djathë pecorino

4 fileto salmoni, 3 lugë lëng limoni të freskët, 3 lugë vaj ulliri, 1/4 filxhan djathë pecorino i grirë imët, 1 tufë sallatë jeshile, 3 lugë bajame të thekur, 1 mollë, kripë, piper i zi.

Së pari lini salmonin në temperaturën e dhomës 10 minuta para gatimit. Ndërkohë, rrihni së bashku lëngun e limonit, 2 lugë vaj ulliri dhe 1/4 lugë çaji kripë në një tas të madh.

Shtoni sallatën dhe lëreni të qëndrojë 10 minuta. Ndërkohë prisni mollën në feta dhe shtojeni tek sallata bashkë me djathin dhe bajamet. Marinojeni me piper dhe kripë dhe lërini mënjanë.

Spërkatni salmonin me 1/2 lugë çaji kripë dhe pak piper. Vendosni në zjarr tiganin me pak vaj ulliri dhe hidhni salmonin të gatuhet deri sa të marrë ngjyrë të artë në të dyja anët.

Hiqeni nga zjarri dhe hidheni në pjatën ku doni ta servirni bashkë me sallatën. Ju bëftë mirë!

Categories
Receta

Fileto pule me kërpudha dhe pana – Receta e ditës

Për këtë recetë ju nevojiten: 500-600 g gjoks pule, 500 g kërpudha, 1 qepë, 1 panna për gatim, disa thelpinj hudhra, kripë dhe piper të zi.

Përgatitja: Kaurdisim qepën e prerë në rrathë dhe pulën me pak vaj ulliri. I trazojmë në mënyrë që mishi të gatuhet nga të gjitha anët. Kur qepa dhe mishi thajnë lëngjet e tyre, shtojmë hudhrat, i gatuajmë një minutë me to e më pas hedhim gjysmë gote ujë.

I mbulojmë me kapak dhe i lëmë të ziejnë për rreth 15-20 minuta. Kur mishi dhe qepa janë gatuar plotësisht, shtojmë kërpudhat. I lëmë të zbuten për 5 minuta derisa të gjithë përbërësit të lidhen me njëri-tjetrin. Në fund shtojmë panna-n dhe bluajmë sipër pak piper të freskët. E shoqërojmë me bullgur me perime ose oriz. Do të lëpini gishtat.

Kjo recetë u përgatit nga Bonbon_taste

Categories
Receta

Fileto pule të pjekura me ullinj të zi – Receta e ditës

Përbërës: 2 luge gjelle verë e kuqe, 2 lugë gjelle mustardë, 2 lugë gjelle vaj ulliri, 4 thelpi hudhra, 1 lugë çaji kripë, 1 degë rozmarinë, fileto pule (4- 6 copë), 1 filxhan me ullinj të zinj

Në një tas të madh bashkoni verën e kuqe, mustardën, vajin e ullirit, hudhrën, kripën dhe rozmarinën. Më pas shtoni mishin e pulës dhe ullinjtë. I përzieni mirë dhe e mbuloni enën me një qese plastike.

E fusni në frigorifer dhe e lini të qendrojë të paktën 1 orë ose gjatë gjithë natës. Të nesërmen e kaloni masën në një tavë dhe e fusni në furrë të piqet për gati 1 orë në nxehtësi të ulët. Kur ta shikoni që mishi i pulës ka marrë një ngjyrë kafe të artë në sipërfaqe mund ta hiqni. Mund ta shoqëroni me kuinoa, oriz ose thjesht me pak bukë. Ju bëftë mirë!

Categories
Receta

Receta e ditës: Fileto pule me domate dhe ullinj

Përbërësit: 1 filetë pule, 200 g domate të vogla, 1 mocarela, 10 ullinj
1 thelp hudhër, gjethe borziloku, kripë, piper dhe vaj ulliri.

Përgatitja: Filetën e pulës e ndajmë në tre feta të holla, e marinojmë me kripë dhe piper. Ndajmë në feta domatet dhe djathin mocarela, vendosim në çdo fileto djathë, domate dhe borzilok. E mbledhim role dhe e fiksojmë ne një kunjëz druri. I skuqim në tigan derisa të marrin ngjyrë nga të gjitha anët, shtojmë hudhrën e grimcuar, domate, gjethe borziloku dhe ullinj.

Rregullojmë shijen e salcës me kripë dhe piper. I shërbejmë në pjatë ku vendosim pak salcë poshtë dhe filetën sipër. (Burimi: Tring e Living)