Categories
Lajme

Variçet mund të trajtohen edhe në shtëpi, këtu gjeni 6 mënyra natyrale

Venat varikoze ose siç i njohim ndryshe variçet janë një problem shëndetsor i përhapur gjërësisht në botë. Bëhet fjalë për një zgjerim aspak normal të damarëve të cilët dallohen lehtazi nën lëkurë. Variçet shfaqen kryesisht në zonën e pulpës së këmbës dhe të kofshës. Venat e enjtura mund të shkaktojnë një sërë simptomash të pakëndshme siç janë dhimbjet, ndjesia e djegies, rëndesës, pickimit dhe ngrirjes së këmbëve.

Nëse jeni në kërkim të mënyrave të trajtimit të variçeve në shtëpi, atëherë hidhini një sy disa sugjerimeve me kurat natyrale që mund të zbusin variçet dhe intensitetin e simptomave. Trajtimet standarde për variçet janë të shtrenjta. Për fat të mirë, në kushtet e shtëpisë mund të përgatisni disa kura kundër variçeve që janë efikase.

Uthulla e mollës – Uthulla e mollës është pjesë e një trajtimi mjaft efikas që pastron organizmin dhe përmirëson qarkullimin e gjakut. Një qarkullim normal i gjakut zbut dhe pakëson ndjeshëm variçet. Lyeni lëkurën mbi variçe me uthull molle dhe masazhojeni lehtë. Bëjeni këtë çdo mbrëmje përpara se të flini dhe sërish në mëngjes për disa muaj dhe do të vini re zvogëlim të variçeve.

Speci djegës – Speci djegës është i mrekullueshëm kundër variçeve sepse është i pasur me vitaminë C dhe bioflavonoidë të cilat ndihmojnë për qarkullimin e gjakut dhe zbutjen e dhimbjeve të variçeve. Shtoni një lugë çaji me spec djegës në një gotë me ujë të nxehtë dhe përzijeni mirë. Pijeni këtë lëng tre herë në ditë çdo ditë për dy muaj të tërë.

Vaji i ullirit – Qarkullimi i mirë i gjakut është thelbësor kundër variçeve. Masazhojeni lëkurën e variçeve me vaj ullirin për të përmirësuar qarkullimin e gjakut, ulur dhimbjen dhe zbutur dhimbjen. Përzieni sasi të barabarta të vajit të ullirit dhe vitaminës E në formë vaji. Ngroheni pak dhe masazhoni venat për disa minuta. Bëjeni këtë masazh dy herë në ditë për një deri në dy muaj.

Hudhra – Hudhra është e shkëlqyer për të pakësuar inflamacionin dhe zbutur simptomat e variçeve. Hudhra largon toksinat nga damarët dhe përmirëson qarkullimin. Vendosni gjashtë thelbinj hudhre në një kavanoz qelqi. Shtoni lëngun e tre portokalleve dhe 2 lugë gjelle me vaj ulliri. Lërini të qëndrojnë së bashku për 12 orë. Tundeni kavanozin dhe merrni disa pika për të masazhuar venat e inflamuara. Masazhin bëjeni në formë rrethore për 15 minuta. Mbështilleni zonën e masazhuar me një napë pambuku dhe mbajeni të tillë për gjithë natën. Përsëriteni këtë proces çdo ditë për disa muaj.

Farat e gështenjës së egër – Farat e gështenjës së egër janë përdorur prej shumë vitesh kundër variçeve. Ato luftojnë inflamacionin dhe enjtjen, forcojnë venat dhe zbusin variçet. Ekstrakti i gështenjës së egër përmban një substancë që njihet si asecinë që përmirëson elasticitetin dhe forcën e venave duke parandaluar çlirimin e enzimave që dëmtojnë kapilarët. Përdorni xhelin prej gështenjës së egër dhe lyeni me të zonën e prekur dy herë në ditë. Nëse e përdorni rregullisht atëherë dhimbjet dhe enjtja do të zbuten. Femrat shtatzënë dhe ato lehonë nuk duhet t’i përdorin farat e gështenjës së egër.

Majdanozi – Majdanozi është i pasur në vitamin C, një antioksidant që inkurajon prodhimin e kolagjenit. Majdanozi përmban rutinë që luan një rol kryesor në forcimin e kapilarëve dhe pakësimin e simptomave të variçeve. Zieni një tufë me majdanoz në një gotë me ujë për 5 minuta. Lëreni lëngun të ftohet dhe më pas kullojeni. Shtoni nga një pikë vaji esencial trëndafili dhe kumaku. Vendoseni solucionin në frigorifer për disa minuta. Merrni pak pambuk dhe lyeni zonën e variçeve. Bëjeni këtë çdo ditë për disa minuta që të shikoni rezultate pozitive.

Categories
Lajme

Shko në pazar dhe bli gënjeshtenja! Ja si gatuhet supa e kremit me lulelakër dhe gështenja

Gështenjat përgjithësisht na kujtojmë se festat e fundvitit po afrojnë. Praktikisht, periudha më e bukur e vitit! Recetat ku mund ti përdorim gështenjat janë të shumta, duke filluar nga gjellët, tavat, pastat, por sigurisht edhe në ëmbëlsira. Në fakt ekzistojnë edhe dy opsione të tjera që i duan të gjithë: gështenja të ziera ose të pjekura. Mbani mend se gështenjat e ziera janë më të tretshme sesa ato të pjekurat!

Mënyra më e mirë për t’i qëruar gështenjat e pjekura është t’i çani nga sipër me ndihmën e një thike dhe pas pjekjes, ato qërohen lehtësisht. Gështenjat janë gjithashtu burime të shkëlqyera të vitaminave dhe mineraleve, sidomos të magnezit.

Gështenjat duhet të jenë të freskëta për t’i ngrënë dhe gjithnjë të gatuara. Asnjëherë mos i hani të gjalla pasi mund të rezultojnë të dëmshme për organizmin tuaj.

Disa nga benefitet e gështenjave: Reduktojnë nivellin e kolesterolit dhe stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak. Reduktojnë rrezikun nga kapsllëku. Rrisin dhe përmirësojnë funksionin e trurit. Duke qenë se janë të pasura me vitaminë B, ato ju ndihmojnë për një lëkurë të shëndetshme. Rrisin nivelin e energjisë tek ju. Gështenjat ju ndihmojnë për kocka më të forta. Gështenjat reduktojnë radikalet e lira, shkaktarë të kancerit. Nuk përmbajnë gluten!

Supë krem me lulelakër dhe gështenja

Përbërësit: 850 ml lëng perimesh, 150 ml pana, 200 gram gështenja të ziera e të qëruara, 1 lugë gjelle vaj ulliri, 1 qepë të madhe të prerë imët, 1 lulelakër të madhe, 250 ml qumësht, 30 gram djathë parmixhano i grirë imët.

Udhëzime mbi përgatitjen: Në një tenxhere të madhe me vaj ulliri skuqni qepën. E lini 8-10 minuta derisa të zbutet. Shtoni lulelakrën e ndarë në copa të vogla, qumështin dhe pas 5 minutash lëngun e perimeve. I përzeni mirë dhe i lini 10-12 minuta në zjarr. Shtoni panën, erëzat dhe i lini akoma të ziejnë. Pas 10 minutash i hiqni nga zjarri dhe shtoni brenda gështenjat. I kaloni sipër një blender dore për ta bërë supën kremoze. Nëse keni dëshirë mund t’i shtoni më shumë kripë apo piper. Servireni supën të ngrohtë duke i shtuar sipër djathë parmixhano, pak piper dhe vaj ulliri. Ju bëftë mirë!

Categories
Receta

Pulë e mbushur me geshtenja dhe mollë – Receta e ditës

PËRBËRËSIT: 1 pulë, të brendshmet e pulës, 2 mollë jeshile, 300 g gështenja të pjekura, 1 qepë e kuqe, 1 fetë bukë e plotë, 1 lugë sheqer kallami, 1 filxhan qumësht, kripë, piper, kanellë, pimento ose all spice dhe 2 lugë gjalpë.

PËRGATITJA: Kaurdisni qepën me sheqerin e kallamit, shtoni të brendshmet e prera në copa të vogla, mollët edhe pasi këto të fundit të ulin volumin shtoni erëzat. Bashkoni te qepa gështenjat e pjekura edhe të copëtuara si edhe bukën e grimcuar. Shtoni qumështin që masa të lidhet edhe mbushni pulën te pjesa e barkut edhe e gushës.

E lyeni me gjalpë edhe e vendosni në tenxhere me kapak pasi të shtoni edhe 1 gotë ujë, pjekja për 1 orë e 30 minuta me 180 gradë pasi pula ishte 1 kg e 200 g. Hiqeni kapakun edhe jepini një faqe dhe ngjyrë të bukur pjekje të gjithë sipërfaqes. E lini të ftohet pak, pritecni në copa edhe shërbejeni me mbushjen.

Kjo recetë u përgatit nga Papare_thebeautyofsmallthings

Categories
Lajme Shëndeti

Erdhën javët e gështenjave! Ky është ushqimi i plotë që ndihmon për kolesterolin, zorrët dhe imunitetin!

Gështenjat janë një ushqim i plotë, ideal për fëmijët në zhvillim, për ata që shërohen nga sëmundje të ndryshme si dhe për atletët. Janë një burim i mirë i aicdeve yndyrore të pangopura, si acidi oleik dhe palmitoleik, të cilat ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq (LDL) dhe rritjen e kolesterolit të mirë (HDL).

Gështenjat gjithashtu përmbajnë kalcium, magnez, fosfor, hekur, natrium dhe kalium. Ata janë gjithashtu të njohur për kontributin e tyre në funksionimin e duhur të zorrëve, si zëvendësues i drithërave. Përveç kësaj, gështenjat përmbajnë vitamina B1 dhe B2, si dhe vitaminë C dhe acid folik.

100 g gështenja sigurojnë 22% të nevojave ditore të trupit tonë nga bakri dhe 15% nga kaliumi. Këto lëndë ushqyese kontribuojnë në funksionimin e duhur të sistemit nervor dhe imunitar, si dhe presionin e gjakut. Si i ziejmë ato?

Gështenjat duhet të zihen për të paktën një orë, në nxehtësi mesatare. Për t’i bërë ato më të shijshme mund të shtoni gjysmë lugë kripë në ujë.

Categories
Këshilla

Për gështenja super të shijshme, ç’duhet bërë përpara se t’i pjekim

Eshtë vjeshtë dhe është fiks sezoni i gështenjave! Mishi i tyre i ëmbël, me energji dhe kalori ka nevojë të gatuhet mirë që të shijohet mirë. Dhe pse ndoshta duket e pabesueshme kripa është përbërësi kryesor që gështenjat të piqen më mirë. Por pse t’i pjekim në kripë? Sepse kripa i mbron ato nga djegia dhe i mban të njoma.

Përgatitja e tyre bëhet kaq thjeshtë me këto hapa: Si fillim nëse kemi 500 gr gështenja na duhet 1 kg kripë deti e trashë dhe pak gjalpë i kripur për servirje. Pastaj ngrohim furrën në 175 ° C dhe shtojmë kripën në tavë.

Pas kësaj çdo gështenjë e presim thellë me thikë në mes pa dëmtuar mishin e tyre. Gështenjat e prera i vendosim mbi kripë dhe i futim në furrë për 30 minuta. Shërbehen të ngrohta! Ju bëftë mirë!

Categories
Lajme

Ndikon te sëmundjet e veshkave e kolla, të mirat e çajit të gështenjës

Gjethet e gështenjës janë të pasura me substanca vepruese, të cilat ndikojnë dukshëm në qarkullimin e shpejtë të gjakut. Gështenja eshte një nga drurët më të njohur në Shqipëri.

Nuk mund të vlerësohet vetëm për frutin e mrekullueshëm e të pasur me vitamina, por pema shquhet edhe për ndihmesën, që ajo jep në mjekësinë popullore.

Gjethet e gështenjës luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e shumë sëmundjeve. Gjethet e gështenjës janë të pasura me substanca vepruese saponinë, eskulinë, fraksinë, flavoneve, taninë, të cilat ndikojnë dukshëm në qarkullimin e shpejtë të gjakut.

Categories
Histori

Po vjen vjeshta dhe sezoni i gështenjave, gratë shtatzanë duhet ta lexojnë këtë shkrim

Gështenja është një frut tipik i stinës së vjeshtës, shumë e dashur nga të mëdhenj e të vegjël, për shijen që ajo ka. Sa e sa herë në mbrëmjet e ftohta, familjet mblidhen rreth një tavoline për të ngrënë gështenja të pjekura.

Megjithatë përveç kënaqësisë së shijuarit, gështenja është gjithashtu një depo vlerash ushqyese. Gështenjat janë të pasura me niseshte dhe fibra, ato gjithashtu kanë edhe një përqindje të lartë mineralesh, sidomos kalium, fosfor, magnez, kalcium dhe në një masë më të vogël, edhe hekur.

Kanë një përmbajtje të lartë kalorike e që karakterizohen po ashtu edhe nga një përqindje e lartë sheqeri, nga proteina me cilësi të mirë dhe nga prania e vitaminave C, B1, B2, PP dhe nga një yndyrë e ulët. Le të shohim bashkë të mirat që na jep ky frut dhe kuriozitetet rreth tyre:

Lodhja: Gështenjat janë shumë të mira për ata që vuajnë nga lodhja sezonale, e shkaktuar nga gripi dhe ftohjet e rënda. Janë të dobishme për të kapërcyer lodhjen mendore, mungesën e përqendrimit dhe stresin e fortë.

Shtatzënia: Gështenjat përdoren edhe gjatë shtatzënisë, falë përmbajtjes së tyre me acid folik, edhe në rastin e ndonjë anemie. Shëndetësi dhe kozmetikë: Gështenjat përdoren edhe për mjekim të reumatizmës, përdoren si diuretikë natyralë, për uljen e enjtjeve dhe infektimeve të ndryshme.

Ato përdoren edhe në përbërjen e shumë preparateve kozmetike për lëkurën e flokëve dhe fytyrës, për shkak të efekteve të tyre qetësuese në organizëm.

Categories
Lajme

Tropoja ka një produkt që ka pushtuar tregjet ndërkombëtare!

Gështenjat e Tropojës janë të vetmet gështenja shqiptare që përmbushin plotësisht cilësinë e kërkuar për eksport në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Studime të shumta kanë treguar se gështenjat e kësaj zone janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat e tjera lokale.

Dhe po t’u shtosh dhe pyjet natyrale, prodhimin natyralisht organik dhe freskia e Alpeve ku ato rriten, padiskutim i bën ato akoma më unike në shije. Gështenja e Tropojës ajo që kryeson eksportin, duke qenë gështenja e vetme shqiptare që përmbush kriteret e cilësisë për t’u eksportuar në BE.

Sipas tregëtarëve, kërkesa ndërkombëtare për gështenja me cilësi të lartë ka qenë në rritje që prej gjysmës së dytë të viteve 1990, pjesërisht edhe për shkak të interesit në rritje të konsumatorëve ndaj produkteve tradicionale dhe ekologjikisht miqësore.

Cilat vende i kërkojnë me ngulm Gështenjat e Tropojës? – Gati e gjithë sasia e mbledhur nga Masivi i Pyjeve të Gështenjave të Tropojës shkon për eksport, ku kryeson Italia dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Në tregun e huaj gështenjat shqiptare shiten disa fish më shtrenjtë se në vend duke sjellë një tkurrje të plotë të pranisë së këtyre gështenjave në tregun shqiptar.

Në Shqipëri prej disa vitesh funksionojnë pesë kompani që mbledhin gështenja për eksport drejt tregjeve të huaja. Kërkesa e tregut vendas mbetet e lartë dhe kjo tregon mundësi për zhvillim të gështenjave shqiptare për eksport, por sidomos për të përmbushur nevojat e tregut të brendshëm.

Gështenjat shqiptare në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, në Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, në Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë. Ndërkohë që edhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha.

Brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me gështenja, duke rritur kështu në mënyrë të madhe numrin ekzistues. Kjo për të përmbushur urinë e tregut evropian dhe duke i dhënë një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave që mbajnë familjet nga shitja e tyre. Por sidomos masivi i gështenjave të Tropojës ka nevojë të vazhdueshme për mirëmbajtje, mbështetje me teknikë dhe ndihmesë direkte për të siguruar vazhdimësinë e këtij produkti kaq të kërkuar nga tregjet e BE-së.