Categories
Lajme

Mali i shenjtë, maja e veçantë që asnjë turist apo alpinist nuk mund të ngjitet!

Një numër i konsiderueshëm turistësh, vizitojnë në Nepal disa prej maleve më të larta në botë. Një sërë malesh përfshihen në turin e këtyre vizitorëve, ndër to Everesti, si dhe 7 male të tjera me lartësi mbi 8000 metra. Megjithatë, në këtë vend gjendet një mal, i cili ndonëse nuk shquhet për lartësinë e tij, është i ndaluar të vizitohet, e sidomos të ngjitet prej alpinistëve.

Machhapuchhare është një mal me lartësi 6993m në vargun Annapurna të Nepalit Qendror, larg majave të tjera të larta. I dalluar për bukurinë e tij unike, me kreshta të thepisura, turistët janë gjithmonë të joshur ta vizitojnë këtë vend, për të përjetuar një nga lindjet apo perëndimet më të bukura të diellit.

Gjithsesi, ata janë të lejuar të realizojnë një udhëtim 5-ditor deri në një pikë të caktuar të malit, afërsisht deri në lartësinë 4500 metra. Pjesa tjetër e lartësisë dhe sidomos 1000 metrat e fundit janë të ndaluar dhe kjo i atribuohet kolonelit britanik, James Owen Merion Roberts.

Rreth viteve 1950, James Robert, u bë i njohur në Nepal, asokohe si një nga eksploruesit kryesorë të Himalajve dhe madje arriti që të afronte shumë turistë dhe alpinistë në këto zona. Machhapuchhare, u bë një nga majat që ai më së shumti donte të vizitonte, ndonëse që në atë kohë ishte e rrallë të ngjiteshe, pasi maja e malit konsideroj një vend i shenjtë.

Në vitin 1957, ai arriti të organizonte ekspeditën e tij të parë në këtë mal, dhe menjëherë pas kësaj eksperience, i kërkoi qeverisë së atëhershme të Nepalit që udhëtimet në këtë majë mali të ishin të kufizuara, madje të ndaluara. Ndonëse kjo kërkesë ishte një dëshirë egoiste e kolonelit për të qeni i vetmi që ishte ngjitur në atë majë të mrekullueshme, çuditërisht qeveria pranoi.

Megjithatë, qëllimi i autoriteteve të kohës dhe i atyre tani mbetet që ky mal i konsideruar i shenjtë nga besimet vendase, të mbetet i paprekur nga dora e njeriut dhe sidomos që të mbrohet sa më shumë nga turistët e shumtë që malet e Nepalit mirëpresin çdo vit.