Categories
Këshilla

Vlerat fantastike të çajit të malit, ja pse duhet ta konsumoni

Çaji shqiptar i malit përftohet nga gjethet e bimës së varietetit Sideritis Raeseri. Ky çaj bimor i maleve të Shqipërisë është konsumuar prej shekujsh falë vlerave të tij shëndetësore. Çaji i malit i varietetit bimor Sideritis Raeseri është natyralisht pa kafeinë. Ai bëhet nga gjethet, lulet dhe kërcenjtë e bimës Sideritis që lulëzon në shpatet dhe malet e vendit tonë.

Edhe pse në vendet e Mesdheut ky çaj akoma bëhet nga bima e njomë, shumica e njerëzve e përdorin në variantin e thatë. Çaji ndihmon me shëndetin e aparatit tretës dhe përmban antioksidantë natyralë.

Plot me flavonoidë dhe antioksidantë – Studiuesit zbuluan se bimët e familjes Sideritis përmbanin substanca të rëndësishme që luftonin mikrobet dhe inflamacionin. Të gjitha këto bimë përmbanin vajra esencialë.

Ul tensionin e gjakut – Një studim i fundit zbuloi se ekstraktet që vinin nga familja e bimëve Sideritis ulnin nivelet e tensionit të gjakut dhe qetësonin enët e gjakut. Studimi i kryer mbi kafshët nxorri në pah se doza domethënëse të ekstrakteve në fjalë ndihmonin në zgjerimin e enëve të gjakut, uljen e tensionit të gjakut dhe uljen e presionit ndaj zemrës.

Studimet gjithashtu konfirmuan rolin pozitiv të këtyre bimëve për shëndetin e zemrës. Megjithatë, vëzhgime të mëtejshme janë të nevojshme përpara se çaji shqiptar i malit të merret në konsideratë për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Mbron sistemin tretës – Studiuesit zbuluan se pirja e çajit të malit nga bima e Sideritis ulte inflamacionin në sistemin tretës. Kjo ndodh falë pranisë së fenolëve dhe antioksidantëve që gjenden natyralisht në këto bimë. Studiuesit zbuluan gjithashtu se inflamacioni dhe toksiciteti uleshin për një periudhë afatgjatë. Kjo si pasojë e aftësive mbrojtëse të çajit shqiptar të malit.

Përgatitja e çajit shqiptar të malit – Përgatitja e çajit të malit nga bima e freskët kërkon përdorimin e luleve, kërcenjve dhe gjetheve të plota të të gjithë bimës. Ju mund t’i hidhni ato në ujë të nxehtë dhe të ulni temperaturën, duke mundësuar zierjen e lëngut për 5 deri në 10 minuta. Shija e këtij çaji është tokësore, por nëse përdorni lulet, do të ndjeni edhe aromën e tyre.

Këtij çaji mund t’i shtoni mjaltë, qumësht ose limon sipas dëshirës. Në malet e Shqipërisë rritet varieteti Sideritis Raeseri. Ky lloj nuk duhet ngatërruar me specien Sideritis Syriaca, e cila gjendet në të gjitha vendet e Mesdheut dhe të Ballkanit. Peter Furth, një ekspert amerikan i bimëve mjekësore shpjegon se çaji ynë është tipar dallues i Shqipërisë. Kjo, falë mikro-klimës së vendit që i jep çajit, një cilësi unike dhe superior. Peter Furth tha se në Amerikën e Veriut, çaji shqiptar i malit është më i kërkuari nga të gjithë çajrat e bimëve të tjera të varietetit Sideritis.

Categories
Lajme

Mali i shenjtë, maja e veçantë që asnjë turist apo alpinist nuk mund të ngjitet!

Një numër i konsiderueshëm turistësh, vizitojnë në Nepal disa prej maleve më të larta në botë. Një sërë malesh përfshihen në turin e këtyre vizitorëve, ndër to Everesti, si dhe 7 male të tjera me lartësi mbi 8000 metra. Megjithatë, në këtë vend gjendet një mal, i cili ndonëse nuk shquhet për lartësinë e tij, është i ndaluar të vizitohet, e sidomos të ngjitet prej alpinistëve.

Machhapuchhare është një mal me lartësi 6993m në vargun Annapurna të Nepalit Qendror, larg majave të tjera të larta. I dalluar për bukurinë e tij unike, me kreshta të thepisura, turistët janë gjithmonë të joshur ta vizitojnë këtë vend, për të përjetuar një nga lindjet apo perëndimet më të bukura të diellit.

Gjithsesi, ata janë të lejuar të realizojnë një udhëtim 5-ditor deri në një pikë të caktuar të malit, afërsisht deri në lartësinë 4500 metra. Pjesa tjetër e lartësisë dhe sidomos 1000 metrat e fundit janë të ndaluar dhe kjo i atribuohet kolonelit britanik, James Owen Merion Roberts.

Rreth viteve 1950, James Robert, u bë i njohur në Nepal, asokohe si një nga eksploruesit kryesorë të Himalajve dhe madje arriti që të afronte shumë turistë dhe alpinistë në këto zona. Machhapuchhare, u bë një nga majat që ai më së shumti donte të vizitonte, ndonëse që në atë kohë ishte e rrallë të ngjiteshe, pasi maja e malit konsideroj një vend i shenjtë.

Në vitin 1957, ai arriti të organizonte ekspeditën e tij të parë në këtë mal, dhe menjëherë pas kësaj eksperience, i kërkoi qeverisë së atëhershme të Nepalit që udhëtimet në këtë majë mali të ishin të kufizuara, madje të ndaluara. Ndonëse kjo kërkesë ishte një dëshirë egoiste e kolonelit për të qeni i vetmi që ishte ngjitur në atë majë të mrekullueshme, çuditërisht qeveria pranoi.

Megjithatë, qëllimi i autoriteteve të kohës dhe i atyre tani mbetet që ky mal i konsideruar i shenjtë nga besimet vendase, të mbetet i paprekur nga dora e njeriut dhe sidomos që të mbrohet sa më shumë nga turistët e shumtë që malet e Nepalit mirëpresin çdo vit.