Categories
Lajme

William dhe Harry lënë pas mosmarrëveshjet, Princeshë Diana i bashkon dhe pse nuk jeton më

Princi William dhe Harry kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet pasi të enjten u shfaqën së bashku për të zbuluar një statujë që nderon nënën e tyre, Diana, Princeshën e Uellsit në Pallatin Kensington. Statuja – e cila u porosit fillimisht në 2017 në 20 vjetorin e vdekjes së saj – u zbulua në një ceremoni në atë që do të kishte qenë ditëlindja e 60-të e Dianas.

Djemtë e saj në ngjarjen e së enjtes u shfaqën duke biseduar me njëri-tjetrin gjatë hyrjes në kopsht, përpara se të përshëndetëshin me të afërmit përfshirë edhe vëllezërit e motrat e nënës së tyre, Lady Sarah McCorquodale, Lady Jane Fellowes dhe Earl Spencer.

Gjithashtu i pranishëm ishte skulptori i statujës, Ian Rank-Broadley, projektuesi i kopshtit Pip Morrison si dhe anëtarët e komitetit të statujës. Ndërkohë, as Duka i Kembrixhit dhe as Duka i Sussexit nuk mbajtën ndonjë fjalim gjatë ceremonisë.

William dhe Harry e nderuan të ëmën në një deklaratë të përbashkët të publikuar përmes Pallatit Kensington pas ngjarjes së rëndësishme, duke thënë: “Sot, në atë që do të kishte qenë ditëlindja e 60-të e nënës sonë, ne kujtojmë dashurinë, forcën dhe karakterin e saj”.

“Çdo ditë, urojmë që ajo të ishte akoma me ne dhe shpresa jonë është që kjo statujë të shihet përgjithmonë si një simbol i jetës dhe trashëgimisë së saj”, vazhduan ata përpara se të falënderonin ekipin dhe donatorët e përfshirë në projektin e shumëpritur.

Kjo po ashtu ishte hera e parë e ribashkimit të Harryt dhe William që pas varrimit të Dukës së Edinburgut. William dhe Harry jetuan në Pallatin Kensington me nënën e tyre para se ajo të vdiste në një aksident me makinë në 1997. Derisa është komentuar tejet shumë raporti i tyre, vëllëzërit dukeshin të qetë duke përshëndetur ngrohtësisht të ftuarit dhe duke bërë shaka me grupin e vogël të të pranishmëve.