Categories
Lajme

Çfarë janë VIP-at dhe ku janë ata kur shqiptarët kanë nevojë? Erion Kristo me monolog të fortë

Nga Erion Kristo/ Në diktaturë kishim bllokmenët, në demokraci kemi vipat. Në fakt këta nuk janë vipa, por ipa. Se pa këta mund të jetohet shumë mirë. Njerëz vërtet të rëndësishëm janë ata që sjellin ndryshime në jetën e njerëzve. Por vipat janë pa një v. Thjesht janë njerëz të njohur. Ata kanë sjellë vetëm një ndryshim: Për veten e tyre. Ca syresh janë të sajuar, ca të silikonuar.

Jeta e tyre nuk u përket atyre, por publikut. Publiku vuan dramat e jetës së tyre dramatike. Lajmet për jetën e tyre përhapen më shpejt se sa lajmet për hallexhinjtë.

Breçkat e tyre shkëlqejnë gjithandej nëpër botën virtuale. Ne njohim çdo centimetër katror të trupit të tyre, por dhe zotësinë e specialistëve të tualetit digjital që e kthejnë shëmtinë në bukuri. Bota e vipave dhe jeta reale rrallë përputhen, rrallë puqen.

Ato kanë orbita të ndryshme. Ndërsa është e kuptueshme pse disa njerëz duan ta zëmë Vaçe Zelën, nuk është e qartë pse shtien kaq shumë dashuri për ca lepurusha. Shumë syresh vjedhin karota në bahçen e tjetrit, ose thënë ndryshe, vjedhin këngë, stile, pamje.

Pra, janë pak ose aspak origjinalë. Thjesht shtiranjosë “Instagram”i. Po me çfarë na ushqejnë këta vipa-t? A është ushqim i pastër, apo omgj? Kur shqiptarët kanë nevojë, a shkunden ndopak vipat për t’u qëndruar pranë?

Cili nga vipat ka një kauzë sociale që e ndjek me sukses dhe e mbështet? A u bën përshtypje vipave që ka njerëz që s’kanë të hanë? A kemi nevojë që t’i edukojmë pak vipat me një shkollë për edukimin social? Kur do bëhen vipat tanë njësh me hallet e popullit? Nëse do ta bëjnë, atëherë ushqimi i tyre do të jetë bio.

Po vipat tanë janë vetëm radiomarrëse, jo radiodhënëse. Është një çudi, se ne nuk ndikohemi as nga shteti, as nga ligji, e as nga polici. As nga arti,as nga dija, e as nga kultura. Por ndikohemi nga VIP-at. Ky është një mister i thellë dhe i pazgjidhshëm. VIP-ëzim të mbarë.